Çmimi “Niketë Dardani” i ndahet etnomuzikologut Rexhep Munishi NULL NULL 24.05.2019 15:42 24.05.2019 15:42 Ministria e Kulturës i ka ndarë çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani”, kompozitorit -etnomuzikologut, Rexhep Munishi. Shpërblimi financiar për këtë çmim është në vlerë 5 mijë euro dhe po ashtu ky çmim u shoqërua edhe me një plaketë. Ndërsa, çmimi Vjetor për Vepër Kamertale iu nda kompozitorit Ardian Halimi për veprën “Inside-Out” dhe u shpërblye me dy mijë e pesëqind euro. Ministri Kujtim Gashi fillimisht uroi mirëseardhje për të gjithë dhe uroi laureatët për çmimin jetësor dhe atë vjetor në fushën e muzikës. Ai tha se ndarja e këtyre çmimeve është një përkujdesje dhe një stimulim që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e bën për të gjithë komunitetin artistik e veçanërisht për krijuesit dhe njerëzit e muzikës. Në emër të jurisë e cila ka qenë në përbërje të Zeqirja Ballatës,. Baki Jashari-kompozitor dhe dirigjent dhe magj. Dafina Zeqiri kompozitore, foli Zeqirja Ballata i cili dha arsyetimet e jurisë për ndarjen e çmimeve dhe shpjegoi se përveç çmimeve fituesve iu ndanë edhe shpërblime financiare. Fituesi i çmimit për veprimtari jetësore “Niketë Dardani”, Rexhep Munishi, falënderoi Gashin për dorëzimin e çmimit të cilin ai e konsideroi si shumë të rëndësishëm. Ai po ashtu falënderoi edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, ata që e propozuan për këtë çmim dhe jurinë për vlerësimin e bërë. “Për gjysmë shekulli sa kam qenë aktiv jam marrë me studime, me hulumtime dhe arsimin në fushën e etnomuzikologjisë. Jam përpjekur që trashëgiminë etnomuzikore shqiptare ta hulumtoj, evidentoj dhe ta studioj në mënyrë që ta afirmoj edhe në qarqe joshqiptare. Nuk thuhet kot se gjuha dhe muzika janë segmentet identifikuese të një kombi”, u shpreh Munishi, transmeton Klan Kosova.