Çka është gastriti kronik? NULL NULL 01.12.2016 11:39 01.12.2016 11:39 Gastriti kronik përshkruan një grup të gjendjeve klinike me një gjë të përbashkët: Inflamimi i mukozës së lukthit. Në praktikën e zakonshme shpeshëherë edhe keqinterpretohet termi Gastrit, keshtu që ankesat dispeptike gabimisht iu referohen si Gastrit. Inflamacioni i mukozëz së lukthit më së shpeshti shkaktohet nga infeksioni me bakterie, dëmtimet e mukozës nga barnat që përdoren për largimin e dhimbjeve, pirja e alkoolit etj. Gastriti mund të paraqitet papritmas ( gastritis acuta) apo mund të shfaqet ngadalshëm për një kohë të gjatë ( gastritis chronica). Gastriti mund të paraqitet në disa pjesë të lukthit, p.sh kur infamacioni paraqitet në pjesën e antrumit atëherë kemi të bëjmë me gastrit antral, kur paraqitet në pjesën e kardias dhe korpusit, dhe forma tjetër e cila përfshin tërë lukthin kjo njihet si Pangastrit. Në disa raste gastriti mund të shpie në paraqitjen e ulçerave dhe rrit rrezikun për paraqitje të kancerit të lukthit. Tek shumica e njerëzve gastritis nuk është gjendje serioze dhe gjendja përmirësohet shumë shpejt pas trajtimit. Cilat janë shenjat dhe simptomat: Shenjat dhe simptomat e Gastritit janë: Dhembje me karakter djegës në pjesën e sipërme të barkut e cila mund të përkeqesohet apo lehtësohet pas ngrënies. Nausea ( ndjenjë e mundimit dhe vjelljes). Vjellja. Ndjenja e fryerjes në pjesën e sipërme të barkut pas ushqimit. Jo gjithmonë Gastriti shoqërohet me shenja dhe simptoma. Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të gastritit: Infeksionet bakteriale: Ndër më të shpeshtit është infeksioni me H.pylori, vetëm një numër i caktuar i personave të infektuar me Helikobacter Pylori shfaqin shenja të Gastritit. Deri te paraqitja e Gastritit vie për shkak të ndryshimit të stilit të jetës siç është niveli i lartë i stresit, pirja e duhanit etj, që shpien në aktivizimin e infeksionit me H.Pylori. Përdorimi i vazhdueshëm i barnave kundër dhimbjeve siç janë: Aspirina, Ibuprofeni, Diklofenaku, Naprokseni etj mund të shkaktojnë dëmtime mukozale të lukthit akute dhe kronike. Mosha: Mosha mesatare kanë risk më të lartë të shfaqjes së Gastritit për shkak se në këtë moshe kemi incidenc më të lartë të infeksionit me H.Pylori apo/edhe sëmundjeve autoimune në raport me moshat e reja. Konsumimi i shtuar i alkoolit: Alkooli irriton mukozën e lukthit dhe bën që lukthi të dëmtohet nga lëngjet gastrike për shkak të qëndrimit të gjatë të lëngjeve. Stresi: Streset e mëdha psh pas ndërhyrjeve kirurgjike,lëndimeve, infeksioneve të rënda mund të shkaktojn gastrit akut. Shkaktarët autoimmune: Shkaktojnë të ashtuquajturin Gastrit autoimmun, kur qelizat e vet organizmit sulmojnë qelizat e mukozës së lukthit. Kjo jep reaksion që shkatërron sistemin mbrojtës të lukthit duke dëmtuar barrierën mbrojtëse. Gastriti autoimmun shfaqet më shpesh tek personat që kanë çrregullime tjera autoimmune përfshirë Tiroiditin Hashimoto, Diabeti tip 1, semundjet metabolike. Gastriti autoimun shoqerohet edhe me mungesë të vitamines B-12. Sëmundjet tjera që shkaktojnë gastrit: Gastriti mund të shoqërohet edhe me sëmundje tjera duke përfshirë: Infeksionet HIV/AIDS, sëmundjen Crohn si dhe infeksionet parazitare. Cilat janë komplikimet e gastritit: Nëse nuk trajtohet Gastriti atëherë mund të vie deri tek shfaqja e ulçerave peptike, gjakderdhjet gastrointestinale, si dhe alterimin e gastritit në kancer të lukthit. Si bëhet diagnostifikimi i Gastritit: Diagnostifikimi i Gastritit bëhet në bazë të të dhënave anamnestike, ekzaminimit fizikal si dhe analizave tjera përcjellëse. Nga analizat laboratorike duhet të bëhet hemogrami për të parë se a kemi anemi, pastaj bëhen testet serologjike të Helikobacter pylorit, pastaj bëhet ezofagogastroduodenoskopia me anë të së cilës shohim në mënyrë makroskopike inflamacionin e mukozës së lukthit, vendin e inflamacionit, poashtu kërkohet edhe gjaku okult në feces për determinim e anemisë nga trakti digjestiv. Trajtimi i Gastritit: Trajtimi i gastritit varet nga shkaktari specifik. Gastriti akut i shkaktuar nga barnat antiinflamatore jo steroide apo nga alkooli që konsiston në ndërprerjen e konsumimit të këtyre substancave. Ndërsa tek rastet kur kemi infeksion me H.Pylori duhet të behet eradikimi me antibiotik. Në shumicën e rasteve duhet marrë edhe barna që reduktojn nivelin e acidit në lukth dhe kështu zvogëlohen shenjat dhe simptomat poashtu mundësojnë mjekimin e mukozës së lukthit. Barnat që përdoren për mjekimin e gastritit përfshijnë: Antibiotikët për eradikimin e H.Pylorit. Barnat që bllokojnë formimin e acidit në lukth dhe mbështesin shërimin e mukozës së lukthit siç janë: Pantoprazoli, Esomeprazoli, Omeoprazoli ,Lansoprazoli, Rabeprazoli etj. Barnat që reduktojnë prodhimin e acidit në lukth: të ashtuquajturit bllokatorët e receptoreve të Histamines 2 ( Ranitidina,Famotidina,Cimetidina,Nizatidina etj). Antacidet: këto barna e neutralizojnë acidin në lukth në këtë mënyre reduktohet dhimbja. Efekt anësore i ketyre mund të jetë konstipacioni apo diarrea. Ndryshimi i stilit të jetës: Shenjat dhe simptomat do permirsohen nëse: Hani vakte te vogla por të shpeshta, menjanoni ushqimet irituese për lukthin siç janë ushqimet pikante, të tharta, të thata, të yndyrshme etj. Ndaloni përdorimin e alkoolit, menaxhoni stresin etj. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.