Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Çika m’u infektua me…” Klinikat e QKUK-së në gjendje të mjerueshme (VIDEO)

NULL NULL
06.07.2026 19:49

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës vazhdon të jetë qendra kryesore e qytetarëve për të kërkuar shërbime mjekësore.

Megjithatë, në vendin ku do të duhej të ishin kushtet më të mira dhe të mos kishin probleme shtesë pacientët që shtrohen aty, përveç sëmundjes, ata duhet të përballen me një “betejë” tjetër.

Kiks Kosova vazhdimisht ka raportuar për problemet e shumta me të cilat pacientët përballen përditë, duke nisur nga mungesa e barnave e deri te kushtet në dhomat e reparteve të ndryshme.

Emisioni ka pranuar ankesa nga disa pacientë të Klinikës së Sëmundjeve Ngjitëse-Infektivë.

Në një video që pranoi redaksia, shihet duke rrjedhur uji nga tavani, teksa mbi njërin shtrat stafi kishin vendosur një kovë.

Ndonëse, pacientja u ankua që fillimisht me foshnjën e saj ishte udhëzuar të hynte në këtë dhomë, por pasi kishte parë gjendjen insistoi që ta ndërronte dhomën.

Ankesa të tjera që Kiks Kosova pranoi nga paciente të hospitalizuara në këtë klinikë, qenë edhe mungesa e gjërave bazike si barnat antiinflamatorë, çarçafët dhe ushqimi për nënat.

Madje, emisioni jozyrtarisht mësoi që mungesë të çarçafëve ka që nga pandemia.

Pasi ekipi i Kiks Kosovës u fut në një prej reparteve të kësaj klinike, hasi edhe në dhoma pa roleta, por që pacientet kishin improvizuar duke vendosur çarçafë për t’u mbrojtur nga dielli.

Gjendja hiç më e mirë nuk është as në Klinikën e Pediatrisë.

Një prej nënave që qëndroi me ditë në repartin e Gastroenterologjisë, publikoi foto e video në të cilat shihen që dyshekun u detyrua ta largojë nga shtrati e të shtrihet në tokë, ngase shtrati si duket ishte prishur.

E njëjta, Kiks Kosovës i dërgoi video edhe të gjendjes së banjos në këtë klinikë, në të cilën shihet se dy prej tyre janë me një derë të njëjtë.

Kiks Kosova, ka dërguar pyetje në drejtori të ShSKUK-së, megjithatë deri në transmetimin e kësaj kronike, nuk ka marrë përgjigje.

Derisa, në anën tjetër, barna me afat të skaduar në vlerë të 58 mijë e 154 euro është vetëm një nga dhjetëra gjetjet e raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për vitin 2025.

Sipas gjetjeve, në regjistrat e stokut farmaceutik figuronin 7 artikuj që gjithsej kapnin vlerën e 58,154 euro, afati i të cilëve u kishte kaluar gjatë vitit.

Kësisoj, për këta 7 artikujt, nuk ishte bërë dalja si artikuj të skaduar në Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik.

Në anën tjetër, në Spitalin e Prizrenit qe dy vjet askush nuk di gjë për fatin e një automjeti në vlerë të 25 mijë eurosh?

Sipas raportit, pasuria “Kombi Bus-4 dyer”, sipas regjistrave ndonëse i përket Spitalit të Prizrenit, prapëseprapë nuk ka dëshmi për ekzistencën e tij.

Ndonëse për të njëjtën pasuri ishte raportuar edhe në dy vitet paraprake, por askush nuk di se çfarë ka ndodhur me të.

lajme të ngjashme