Çështja e Presidentit, Isufi: VV-ja s’ka gatishmëri, kriza është krijuar për ta shfrytëzuar pushtetin (VIDEO) NULL NULL 16.04.2026 23:50 16.04.2026 23:50 Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka folur lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Ai kritikoi qasjen e partisë në pushtet, duke thënë se, sipas tij, ata shpesh e ndërlikojnë edhe atë që është e thjeshtë, në vend që të ofrojnë zgjidhje për çështjet më të vështira. Isufi theksoi se vendi po përballet me një situatë të vazhdueshme krize, e cila, sipas tij, reflekton mungesë vullneti për të gjetur zgjidhje. “Partia në pushtet, me liderin aktual funksionon më shumë duke e komplikuar atë më të thjeshtën, sesa e zgjidh të komplikuarën, për ta bërë më të thjeshtë. Funksionimi në krizë është që një vit e tepër është duke ndodhur dhe kjo mënyrë e sjelljes tregon se nuk ka gatishmëri”, tha ai. Ai shtoi se kjo gjendje krize nuk është e rastësishme, por siç tha me synim zgjatjen e qëndrimit në pushtet. “Kjo mënyrë e krizës së krijuar me qëllim është për të përfituar në kohë, për të shfrytëzuar pushtetin më gjatë, për të krijuar situatë kaotike”, tha ai./Klankosova.tv