Borgesi dhe e kaluara e rreme NULL NULL 08.12.2015 10:48 08.12.2015 10:48 Jorge Luis Borgesi, duke folur për famën e shkrimtarëve, tha: “Gjëja më e rëndësishme është imazhi që krijon për vetveten në mendjen e njerëzve të tjerë. Shumë njerëz mendojnë për Bërnsin (Robert Burns) si një poet mediokër. Por, përveç poezisë, ai shquhet për shumë gjëra të tjera, dhe për këtë njerëzit e adhurojnë. Në fund të fundit, ky imazh – siç është edhe rasti i Bajronit – mund të jetë më i rëndësishëm sesa vepra letrare”. Borgesi është një shkrimtar i madh, një poet i ëmbël e melankolik dhe spanjishtfolësit do ta nderojnë edhe si një shkrimtar i prozës së drejtpërdrejtë, joretorike. Por reputacioni i tij anglo-amerikan si një argjentinas i verbër dhe i vjetër, shkrimtar i tregimeve shumë të pakta, shumë të shkurtra dhe shumë misterioze, është kaq i fryrë dhe i pavërtetë sa e errëson madhështinë e tij. Kjo ndoshta i ka kushtuar mosmarrjen e çmimit “Nobel”. Por mund të ndodhë që, kur reputacioni i pavërtetë të zhduket, ashtu siç duhet të ndodhë, mund të zhduket gjithashtu edhe puna e mirë. Ironia qëndron në faktin se Borgesi, në pikën e tij kulmore, nuk është as misterioz as i vështirë. Poezia e tij është e kapshme lehtësisht, pjesa më e madhe e saj është madje romantike. Temat e tij kanë mbetur të pandryshuara për pesëdhjetë vitet e fundit: paraardhësit e tij ushtarakë, vdekjet e tyre në betejë, vetë vdekja, koha dhe Buenos Airesi i dikurshëm. Ka shkruar gjithashtu rreth një duzinë tregimesh të suksesshme. Dy apo tre prej tyre janë të drejtpërdrejtë, madje të shkruara me një stil të vjetër, histori detektivësh (njëri është botuar në të përmuajshmen amerikane “Ellery Queens Mystery Magazine”). Disa të tjerë shtjellojnë, në mënyrë kinematografike, jetën e ndyrë të Buenos Airesit në kapërcyell të shekullit. Gangsterëve u ka dhënë staturë epike; ata fuqizohen, pastaj sfidohen ose marrin arratinë. Tregimet e tjera, ata që i kanë tërbuar kritikët, kanë natyrën e shakave intelektuale. Borgesi merr një fjalë, p.sh. “i pavdekshëm”, dhe luan me të. Le të supozojmë, thotë ai, se njerëzit janë me të vërtetë të pavdekshëm. Jo vetëm njerëz që janë në moshë të thyer dhe nuk vdesin, por edhe njerëz të pashkatërrueshëm e të fuqishëm që i mbijetojnë përjetësisë. Cili do të ishte rezultati? Përgjigjja e tij, që përbën thelbin e tregimit, është se çdo eksperiencë e përfytyrueshme do t’i ndodhë çdo njeriu në një kohë të caktuar, se çdo njeri do të marrë në një kohë të caktuar çdo karakter të përfytyrueshëm dhe se Homeri (heroi i maskuar i këtij tregimi të veçantë), në shekullin XVIII, mund të harrojë madje se pati shkruar “Odisenë”. Ose, të marrim fjalën “e paharrueshme”. Le të supozojmë se diçka ishte me të vërtetë e paharrueshme dhe nuk mund të harrohej për asnjë moment; supozojmë që kjo gjë ju ndodh, ashtu siç ju bie në dorë një monedhë. Le ta zgjerojmë më tej idenë. Supozojmë që ekziston një burrë – por jo, ai duhet të jetë një djalosh – që nuk mund të harrojë asgjë dhe kujtesa e tij, për pasojë, fryhet e fryhet me detaje të paharrueshme çdo minutë të jetës së tij. Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë: http://revistasaras.al/2015/12/02/borgesi-dhe-e-kaluara-e-rreme/