BE qorton Vuçiqin: Të shmangen deklaratat që nuk kontribuojnë në normalizim NULL NULL 29.07.2026 17:03 29.07.2026 17:03 (Radio Evropa e Lirë) – Bashkimi Evropian (BE) bëri thirrje që të shmangen deklaratat që nuk ndihmojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se dialogu është e vetmja rrugë drejt përparimit në rrugën evropiane. “Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën. “Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të bëjnë përparim në rrugën e tyre evropiane”, tha zëdhënësi i BE-së. Vuçiq më 25 korrik, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve më të rinj të Ushtrisë së Serbisë në Beograd, deklaroi se forcimi i ushtrisë, ruajtja e neutralitetit ushtarak dhe mbrojtja e integritetit territorial janë ndër prioritetet kryesore shtetërore të Serbisë. Duke iu drejtuar oficerëve të rinj, Vuçiq tha se betimi që ata kanë bërë i obligon të respektojnë Kushtetutën e Serbisë dhe të mbrojnë integritetin territorial të vendit. Ai shtoi se si ata, ashtu edhe udhëheqja shtetërore, do të përballen me presione të ndryshme, por se ruajtja e integritetit territorial ka rëndësi parësore. Ai përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se “Kosova është pjesë e Serbisë”, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë dhe, siç u shpreh ai, “drejtësisë së Zotit”. Serbia nuk e njeh pavarësinë që Kosova shpalli më 2008. Të dyja shtetet zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Në kuadër të këtij procesi janë arritur një sërë marrëveshjesh, por vetëm një numër i vogël i tyre është zbatuar në praktikë. Si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve është parakusht për avancimin në procesin e integrimit evropian. /REL