Baza ushtarake në Durrës, Kastrati dhe Shala: Prezenca e NATO-s dhe ShBA-së e bën rajonin më të sigurt NULL NULL nga Albert Bajrami 19.07.2022 12:02 nga Albert Bajrami 19.07.2022 12:02 Projekti për ndërtimin e bazës detare në portin e ri të Durrësit nga ana e organizatës më të madhe ushtarake në botë – NATO, po konsiderohet e një rëndësie të veçantë nga ana e ish-komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati. Kastrati në një intervistë për Klankosova.tv tha se investimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po bëhët tek një shtet në të cilin Uashingtoni ka besim shumë të madh. Ai theksoi se kjo bazë do të jetë në interesin e Aleancës Veri-Atlantike që ta kontrollojë Ballkanin Perëndimor. “Pozita e Ballkanit Perëndimor dhe interesi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për ta mbajtur këtë pjesë të Evropës nën kontroll e ka shtyrë ShBA-në që të investojë në shtetin ku besueshmëria ndaj Amerikës është shumë e madhe. Ndërtimi i saj është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kastrati. Sipas ish-numrit një të FSK-së kjo bazë ka rëndësi të madhe të mos e lejohen ndikimet nga shtetet që kanë synim destabilizimin e rajonit. Ai thotë se me prezencën e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara rajoni do të jetë më i sigurt. “Gjithashtu ka rëndësi që mos ta lejojë ndikimin rus, i cili është në rritje dhe me një rrezikshmëri të madhe në rend të parë për Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Në aspektin strategjik rajoni do të jetë më i sigurt me ndërtimin e kësaj baze si dhe me prezencën e ShBA-së dhe NATO-s në këtë rajon”. Kastrai më tej ka folur edhe për bazën amerikane në Kosovë, “Bondsteel”, ku ka shtuar se edhe ajo ka ndikim në mbajtjen larg të Rusisë. “Ne kemi kërkuar nga ShBA-ja që të mbajë Bondsteel-in dhe të investojë në këtë bazë dhe ashtu Kosova do të përfitonte shumë në aspektin e sigurisë dh e në atë ekonomik. Vetëm kështu do të pamundësohet ndikimi rus në këtë pjesë të Evropës dhe rajoni do të jetë shumë i sigurt”. “Kosova do të përfitojë shumë në aspektin e sigurisë sepse edhe ne kemi aspiratat për t’u anëtarësuar në NATO”. E sipas ekspertit që çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ndërtimi i bazës së NATO-s në Porto Romano në Durrës ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi. Shala për Klankosova.tv tha se institucionet e Kosovës duhet po ashtu të angazohen edhe në aspektin diplomatik për t’u anëtarësuar në NATO. “Vendosja e bazës së NATO-s në port të Shqipërisë ka impakt të drejtpërdrejt për sigurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi si vende të cilët janë në orbitën e projeksioneve të një lufte hibride të organizuar nga Rusia dhe të zbatuar nga Serbia”, tha Shala. “Institucionet politike të Kosovës duhet në aspektin diplomatik të angazhohen edhe në përafrimin e mundësisë së Kosovës të jetë pjesë e një procesi për anëtarësim në NATO. Ndërsa në anën tjetër FSK-ja duhet të përshpejtojë te një dinamikë e re për të përmbyllur procesin e saj të transformimit përmes një partneriteti të ngushtë me ShBA-në”. Eksperti i sigurisë shtoi se Kosova është një aleat i NATO-s që ka treguar pozicionin e saj karshi interesave të organizatës më të fortë ushtarake në botë. “Kosova si një aleat jashtë aleancës ka treguar pozicionin e saj në raport me orientimin dhe interesat e NATO-s, për një ambient të sigurisë brenda por edhe si komponentë të jashtëzakonshme ushtarake e cila është në dispozicion të kësaj aleance”, shtoi Shala. Drizan Shala tha Aleanca Veri-Atlantike pas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën e ka ndryshuar qasjen ndaj Ballkanit Perëdimor. “NATO-ja pas hapjes së konfliktin në Ukrainë ka ndryshuar qasjen edhe fokusin e saj në raport më Ballkanin Përendimor dhe mundësisë që të rikthehen konfliktet e mundëshme në këtë pjesë të cilët do mund të prodhojnë efekt të jashtëzakonshëm domino për impaktin e sigurisë së rajonit por edhe vendeve tjera të kësaj aleance”. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ia ka prezantuar projektin e bazës ushtarake të NATO-s sekretarit të kësaj aleance, Jens Stoltenberg, pas një takimi që kishte javën e kaluar. Rama theksoi se është e rëndësishme që Ballkani të mbrohet nga ndikimet e këqija. Ai shtoi se edhe kreu i NATO-s shprehu gatishmëri dhe interesim për projektin në fjalë. Stoltenberg nuk dha detaje lidhur me projektin gjatë konferencës për media, duke vlerësuar angazhimin e Shqipërisë për paqen edhe stabilitetin e rajonit. Në Shqipëri, aktualisht po ndërtohet baza taktike ajrore e NATO-s cila gjendet në Kuçovë. Porti i Durrësit do të financohet nga shteti shqiptar në pjesën komercale. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se është ftuar NATO-ja, që të marrë pjesë në një bashkëfinancim për pjesën ushtarake.