Batatina mesazh llapjanëve: Rrini të qetë, Superliga nuk luhet pa Llapin NULL NULL 06.06.2026 18:34 06.06.2026 18:34 Tahir Batatina Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka folur pas fitores së skuadrës së tij 2-0 ndaj Dinamos së Ferizajt në ndeshjen e barazhit, me të cilën ekipi nga Podujeva siguroi qëndrimin në elitën e futbollit kosovar për sezonin e ardhshëm. Pas ndeshjes, Batatina u shpreh se Llapi nuk e meritonte të gjendej në barazh, duke theksuar dominimin e skuadrës në përballjet e fundit dhe angazhimin e lojtarëve në momentet vendimtare. “Mendoj që njerëzit në Kosovë e kanë parë pse Llapi mbeti në barazh. Nuk ishte me meritë. Kemi dominuar kundërshtarët në ndeshjet e fundit. Unë jam për 14 vjet në futbollin e Kosovës dhe do të jem edhe për 15 vjet të tjera. Duhet korrektësi”, deklaroi Batatina. Trajneri pranoi se Llapi nuk ka pasur paraqitje të mira gjatë gjithë këtij edicioni të kampionatit, por theksoi se skuadra arriti të realizojë objektivin e saj në fund. “Skuadra nuk ka performuar mirë në kampionat këtë edicion. Por kundër të gjithëve e arritëm qëllimin. E respektuam Dinamon, është një skuadër e mirë. Nuk ka ndeshje të lehta, këto janë finale”, shtoi Batatina. Në fund, trajneri i Llapit përgëzoi lojtarët për angazhimin e treguar dhe u drejtua edhe tifozëve, duke u bërë thirrje të jenë të qetë dhe të besojnë se Superliga nuk mund të luhet pa Llapin. “Djemtë i përgëzoj për angazhimin. Tifozëve u them të rrinë të qetë sepse Superliga nuk luhet pa Llapin”, përfundoi Batatina.