Bashkimi një hap larg titullit, finalja mund të mbyllet sonte në “Sezai Surroi” NULL NULL 19.04.2026 14:18 19.04.2026 14:18 Bashkimi është vetëm një hap larg titullit kampion në Superligën e Kosovës për femra. Skuadra prizrenase e pret Pejën 03 në ndeshjen e gjashtë të serisë finale të Play-Off-it, me synimin për ta mbyllur serinë para tifozëve të vet. Aktualisht, Bashkimi udhëheq 3:2 në seri dhe një fitore eventuale sonte do ta kurorëzonte me titull kampion. Në anën tjetër, Peja 03 hyn në këtë përballje me objektivin e qartë – të fitojë dhe të barazojë serinë në 3:3, për ta çuar gjithçka në një ndeshje të shtatë vendimtare. Takimi zhvillohet sot nga ora 19:30 në Palestrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren, ku pritet një atmosferë e zjarrtë, pavarësisht kufizimeve të vendosura në tribunë. Për shkak të masave disiplinore, tribuna qendrore dhe ajo VIP do të jenë të mbyllura, ndërsa tifozët do të mund ta ndjekin ndeshjen vetëm nga tribunat e sipërme, pas koshave. Ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën Sport 2.