Asambleja e Mitrovicës së Veriut mbushet me shqiptarë (VIDEO) NULL NULL nga Haris Ademi 14.12.2022 20:43 nga Haris Ademi 14.12.2022 20:43 Dy gjëra të pazakonta i pati sot Asambleja Komunale e Mitrovicës. Pamjen jashtë dhe përbërjen brenda. Perimetri rreth objektit u sigurua me policë, ndërsa në sallën e seancave nuk qenë asamblistët e Listës Serbe. Në komunën me shumicë serbe u betuan 15 përfaqësues të rinj politikë, 12 shqiptarë, dy boshnjakë dhe një serb. Kurse në krye të Kuvendit Komunal u vu Nedzat Ugljanin i komunitetit boshnjak. Dushan Millunoviq është serbi i vetëm asamblist, nga iniciativa “Mbijetesa Serbe” që njihet si opozitë e Listës Serbe. Megjithatë, edhe kreu i këtij subjekti, Aleksander Arsenijeviq, i ishte bashkuar valës së dorëheqjeve javë më parë, ndërsa është tërhequr më pas edhe nga gara zgjedhore për kryetar të komunës. Komunitetet joshumicë në veri të Kosovës vazhdimisht janë ankuar për diskriminim nga udhëheqësit lokalë serb, ndërsa në komunën veriore të Mitrovicës e kanë në dorë asamblenë. Kryesuesi i ri, Ugljanin, e cilësoi veten si legjitim, pasi e ka marrë postin sipas ligjit, por i thirri serbët t’i kthehen institucioneve. Zëvendësi i tij shqiptar, Skender Sadiku, tha se me këtë mbledhje të jashtëzakonshme, kuvendit iu kthye funksioni. Mirëpo shtoi se ky organ lokal duhet t’u shërbejë qytetarëve e jo të merret me tema madhore. Këta mohuan se ndjehen të kërcënuar për punën që i pret.