Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| LAMTUMIRË ISMAIL KADARE

NULL NULL
03.07.2024 09:10

13:42 – Lamtumirë Ismail Kadare

I është dhënë lamtumira e fundit shkrimtarit të madh të shqiptarëve, Ismail Kadare.

Ai është varrosur në varrezat e Tufinës.

Para varrimit, në Teatrin e Tiranës u bënë homazhe para arkivolit me trupin e tij. Aty morën pjesë familja, miq e liderë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, njofton Klankosova.tv.

Kadare i mbylli sytë përgjithmonë të hënën e 1 korrikut në Tiranë, në moshën 88-vjeçare.


12:52 Rama: Kadareja nuk na e ka borxh t’ia ndalojmë vetminë e tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Ismail Kadares nuk duhet t’i prishet vetmia që e donte, vetëm pse nuk është gjallë.

Ai kështu tha para të pranishmëve në ditën kur iu dha lamtumira e fundit, duke shtuar se ai duhet të varroset në një vend ku është i vetëm.

“Ismail Kadare e meriton të prehet në një banesë të fundit që te jetë vetëm e tij, jo bashkë me dëshmorët. Sepse ai nuk ishte dëshmor dhe në asnjë qelizë të tijën nuk ishte në dëshirën e tij për të rënë dëshmor”.

“Jo bashkë me Vëllezërit Frashëri të cilët ishin ndër të paktët që i donte dhe i respektonte, sepse as nuk ia kanë borxh t’i bëjnë vend në varret e tyre, dhe as nuk na e kishte Ismaili borxh që të i’a ndalojmë vetminë e tij, jo vetëm se nuk na ndalon dot”, ka thënë Rama. /Klankosova.tv


12:47 – Begaj: Bashkë me Nënë Terezën, Ismail Kadare u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot homazhe në nder të shkrimtarit të shquar shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të lamtumirës së fundit të organizuar në Tiranë.

Presidenti i Republikës, i shoqëruar nga Zonja e Parë, vendosi kurorën me lule pranë arkëmortit të mbuluar me flamurin e Shqipërisë. Kreu i shtetit shënoi në librin e ngushëllimeve vlerësimet për “Nderin e Kombit”.

“Shqipëria dhe shqiptarët përcjellin sot për në panteonin e përjetësisë gjeniun e tyre të letrave, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Falë talentit të rrallë dhe ndërgjegjes patriotike, Ismail Kadare fitoi për së gjalli statusin e privilegjuar të emancipuesit shoqëror dhe atij identitar”.

“Novator në stil, si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne. Ismail Kadare do të përkujtohet gjithmonë me nderim si promovues, si askush tjetër, i krenarisë kombëtare, veçanërisht i orientimit evropian të kombit shqiptar. Lamtumirë, i madhi ynë!”, është ky mesazhi i Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj për shkrimtarin Ismail Kadare. /tv klan.al


12:44 – Arkivoli me trupin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare niset drejt varrezave
Arkivoli me trupin e shkrimtarit, Ismail Kadare, është nisur drejt varrezave të Tufinës. Përcjellja e tij po bëhet me ceremoni të lartë shtetërore, njofton Klankosova.tv.

Para arkivolit të gjeniut të letrave shqipe bën homazhe familjarë, miq e liderë nga Shqipëria e Kosova.

Kadare vdiq më 1 korrik në moshën 88-vjeçare.


12:35 – Gjirokastra vajton për Kadarenë, shtëpia ku lindi do t’i bëjë monument

Në Gjirokastër është çelur libri i ngushëllimeve për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Në banesën muze të Ismail Kadaresë vizitat u shtuan që prej fillimit të javës. Të shumtë janë ata që kanë vendosur një koment në librin memorie të ngushëllimeve.

Nënshkruesit e komenteve janë nga vende të ndryshme të botës, lexues të tij por edhe bashkëqytetarë. Së shpejti bashkia pritet t’i dorëzojë këshillit bashkiak propozimin për ngritjen e një monumenti të shkrimtarit në qytetin e lindjes.

”Jam e përlotur dhe e trishtuar nga kjo humbje. Ai ishte një hero i letrave për Shqipërinë dhe botën. Unë kam lexuar disa nga librat e tij dhe isha sot pjesë e aktiviteteve në Gjirokastër. Trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë”, shprehet një vizitore.

“Ne gjirokastritët përkulemi me mirënjohje para birit të këtij qyteti që ofroi kaq shumë. Iku Ismaili por ngeli Kadareja, në rrugët në sokakët, në shtëpinë muze. Kadare do ngelet, do ngelet vepra e tij, do ngelet ajo që ka shkruar për Gjirokastrën tonë. Unë besoj se do marr miratimin shumë shpejt të këshillit bashkiak, mbase për të sjellë një monument që duhet të zërë vend në Gjirokastër”, thotë kryetari i Bashkisë.

Ka nga ata që e njohën Kadarenë përmes librave dhe të tjerë që e zbuluan përmes kritikës letrare e publicistikës. Romanet “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar” apo ” Breznitë e Hankonatëve”, rrëfime identitare me në qendër Gjirokastrën dhe jetën e çuditshme brenda korracës së gurit u bënë pjesë e ndërgjegjes dhe krenarisë personale të çdo bashkëqytetari të tij.

“Sokaku i të Marrëve”, qafa e pazarit, kutia e Kako Pinos, shtëpia e doktor Vasilit apo plaka e Kokobobove veshin me karakter kryeveprën autobiografike të një fëmijërie plot fantazi të Kadaresë në Gjirokastër.

Qyteti e ka nderuar Ismail Kadarenë me disa tituj por do t’i detyrohet përherë, fëmijës ëndërrimtar që vëzhgonte avionët nga një dritare e lagjes Palorto, e më pas mendimtarit të rrallë për pasaportën që i dha Gjirokastrës e Shqipërisë për t’i bërë të njohura në të gjithë botën./TopChannel


11:25 – Kurti, ministra e deputetë drejt homazheve për Kadarenë (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrat e tij dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë arritur në Teatrin e Tiranës për të bërë homazhe pranë arkivolit të poetit shqiptar, Ismail Kadare.

Pos kryeministrit, për homazhe dhe ceremoninë e varrimit, do të marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Kadare pritet të varroset pas pak orësh. Ai vdiq më 1 korrik në moshën 88-vjeçare.


11:20 – Konjufca arrin për homazhe në ceremoninë për Kadarenë (VIDEO)

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tashmë ka arritur në Tiranë.

Ai është parë duke ardhur para Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit për të bërë homazhe për shkrimtarin Ismail Kadare.

Kadareja vdiq të hënën e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare, dhe Kosova mban sot, edhe zyrtarisht, ditë zie për shkrimtarin.


11:15 – Diplomatët e ambasadës së ShBA-së në Tiranë ndajnë mendimet e tyre për disa nga librat e Kadaresë

Në nder të veprës së gjigandit shqiptar të letërsisë, Ismail Kadare, ambasada e ShBA-së në Tiranë ka kërkuar nga diplomatët e saj të ndajnë mendimet e tyre për disa nga librat e tij.

Në një postim në Facebook, janë publikuar mendimet e diplomatëve për librat si “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Kronikë në gur” dhe të tjera.

“Në nder të veprës së gjigandit shqiptar të letërsisë Ismail Kadare, ne u kërkuam diplomatëve amerikanë në Ambasadën e ShBA në Tiranë të ndajnë mendimet e tyre për disa prej librave të tij. Shihni vlerësimet e tyre dhe bashkojuni bisedës duke ndarë me ne librin tuaj të preferuar të Kadaresë në komente”, thuhet në postim, njofton Klankosova.tv.

Kadare vdiq më 1 korrik në Tiranë në moshën 88-vjeçare. Ai do të varroset sot me ceremoni shtetërore.


10:52  – Rohde nënshkruhet në librin e ngushëllimeve për Kadarenë
 

Ambasadori gjerman në Kosovë, John Rohde, është nënshkruar në librin e ngushëllimeve për shkrimtarin Ismail Kadare.

Rohde tha se Kadareja do të jetojë përgjithmonë përmes tregimeve të tij dhe shkrimtarëve të rinj që i ka frymëzuar.

“Duke e nderuar gjigantin e letërsisë Ismail Kadare”, ka shkruar Rohde në X.

“Fjalët e tij ia sollën botës letërsinë shqiptare dhe prekën zemra të panumërta. Pusho në paqe”.

“Trashëgimia e tij do të rrojë përmes rrëfimeve të tija të pakoha dhe frymëzimi që ai ua dha gjeneratave të shkrimtarëve të rinj”, ka shkruar ai.


09:49 – Në Tiranë po mbahen homazhet për Ismail Kadarenë (VIDEO)

Po mbahen homazhe për shkrimtarin e madh shqiptar, Ismail Kadare në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, njofton Klankosova.tv.

Kadare varroset sot dhe në ceremoninë e varrimit pritet të marrin pjesë edhe liderë nga Kosova.

Poeti shqiptar vdiq të hënën në mëngjes në Urgjencën e Tiranës, në moshën 88-vjeçare.


Arkivoli i Kadaresë sillet para Teatrit

Arkivoli i shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, është sjellë tek Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë.

Në këtë ambient nga ora 09:00 pritet të nisin edhe homazhet nën nderime shtetërore.

Është paralajmëruar që edhe liderë nga Kosova do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të Kadaresë.


08:32 – Sot ditë zie në Kosovë në nderim të Kadaresë

Sot është ditë zie në Kosovë, në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, që vdiq dy ditë më parë.

Vendimi u mor të martën nga presidentja Vjosa Osmani.

Gjatë ditës, me fillim nga ora 11:00 në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të mbahet mbledhje komemorative në respekt të jetës dhe veprës së Kadaresë.


07:59 – Sot i jepet lamtumira e fundit Ismail Kadaresë

Sot do të bëhet varrimi i shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën në mëngjes në Tiranë.

Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblin Popullor nga ora 09:00-11:00 dhe11:30 deri në 13.30.

Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut, në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas tij një pasuri të madhe letrare që është përkthyer në 45 gjuhë të botës.

Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij.

Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.