Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

NULL NULL
23.07.2026 20:37

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte refuzuar kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhje të aktakuzës në rastin ku Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, akuzohen për korrupsion.

Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“REFUZOHEN si të pabazuara ankesat e paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Faruk Mujka, avokati Xhafer Tahiri dhe Hysen Muzliukaj, avokati Ahmet Tahiri, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i datës 16.12.2025, VËRETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit.

Kundër aktvendimit të shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës, kishin paraqitur ankesë mbrojtësit e të akuzuarve Mujka dhe Muzliukaj, avokatët Xhafer Tahiri dhe Ahmet Tahiri, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave ligjore si dhe shkeljeve të dispozitave të Ligjit Penal.

Mbrojtja i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që të aprovojë si të bazuara ankesat dhe t’i shpall provat e papranueshme dhe të hedh aktakuzën, si dhe ta pushojë procedurën penale ndaj të akuzuarve.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e paraqitura nga mbrojtja dhe aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore nuk janë të bazuara, pasi që gjykata e shkallës së parë ka shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të drejtë pretendimet e paraqitura në kundërshtimet ndaj aktakuzës dhe kërkesat për hedhje të saj, duke dhënë arsye të qarta dhe juridikisht të qëndrueshme se aktakuza e ngritur nga PSRK-ja, përmban prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen si në aktakuzë.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes përkitazi me veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit, dhe në këtë fazë të procedurës penale të njëjtat janë të pabazuara, pasi që të gjitha këto pretendime do të vlerësohen në shqyrtimin gjyqësor pas administrimit të provave, ku edhe do të vërtetohet fajësia apo pafajësia e të akuzuarve.

Sipas Apelit, pretendimet e mbrojtjes se gjykata e shkallës së parë ka tejkaluar kompetencat e saj procedurale dhe ka paragjykuar çështjen, duke konstatuar ekzistencën e elementeve të veprës penale dhe përgjegjësinë e të akuzuarve, nuk qëndrojnë.

Apeli thekson se nga analiza e tërësisë së arsyetimit të vendimit, rezulton se gjykata e shkallës së parë nuk ka nxjerrë vendim përfundimtar mbi fajësinë e të akuzuarve, por ka bërë vetëm një vlerësim paraprak të provave në funksion të ekzistimit të dyshimit të bazuar mirë, si kusht për vazhdimin e procedurës penale.

Në fund të vendimit, thuhet se kolegji i Apelit ka konstatuar se arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë nuk përbën paragjykim të rezultatit përfundimtar të procedurës penale, pasi vlerësimi përfundimtar i provave dhe konstatimi i fajësisë apo pafajësisë mund të bëhet vetëm me aktgjykim të formës së prerë, pas administrimit dhe vlerësimit të drejtpërdrejtë të të gjitha provave në shqyrtimin gjyqësor.

Vendimi i Apelit rezulton të jetë marrë më 20 shkurt 2026, nga kolegji i përbërë prej Albina Shabani-Ramës si kryetare e kolegjit, si dhe Valon Kurtaj dhe Vaton Durguti- anëtarë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 dhjetor 2025 kishte marrë aktvendim me të cilin kishte refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave lidhur me akuzat që iu vihen në barrë të akuzuarve.

Themelorja pas shqyrtimit të pretendimeve të mbrojtësve ka gjetur se kërkesat e tyre janë të pabazuara pasi që aktakuza është ngritur në pajtim me ligjin dhe ka prova të mjaftueshme që e mbështesin aktakuzën sa i përket veprave penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit.

Gjithashtu, në vendimin e Themelores thuhet se në këtë çështje penale nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale të të akuzuarve, nuk ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, amnisti apo falje, dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë.

Dy të akuzuarit, në seancën fillestare më 20 tetor 2025, ishin deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka ngarkohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.

lajme të ngjashme