Anglia do ta heqë vetizolimin për fëmijët dhe personat e vaksinuar nëse janë raste kontakti NULL NULL 06.07.2021 19:31 06.07.2021 19:31 Njerëzit të cilët janë vaksinuar plotësisht dhe fëmijët nga 16 gushti nuk do të duhet më të vetizolohen pas kontaktit të ngushtë me dikë që rezulton pozitiv për COVID-19, tha të martën ministri i shëndetësisë Sajid Javid. Kryeministri Boris Johnson përcaktoi planet të hënën për t’i dhënë fund kufizimeve sociale dhe ekonomike të COVID-19 në Angli më 19 korrik, një provë nëse një përhapje e shpejtë e vaksinave ofron mbrojtje të mjaftueshme nga varianti më infektues Delta. Ministri Javid tha se suksesi i programit të vaksinës do të thoshte se ishte e mundur të shkohej më tej në lehtësimin e rregullave të vetë-izolimit për ata që kanë marrë të dy doza. “Nga 16 gushti … kushdo që është një kontakt i ngushtë i një rasti pozitiv nuk do të duhet të izolohet nëse është vaksinuar plotësisht,” i tha Javid parlamentit. “Në përputhje me qasjen për të rriturit, kushdo nën moshën 18 vjeç që është një kontakt i ngushtë i një rasti pozitiv nuk do të duhet të izolohet më.” Vetëm ata persona që vetë rezultojnë pozitivë do të kërkohet të vetizolohen, tha ai. Kryeministri Johnson po shpreson se programi i vaksinimit, i cili ka dobësuar lidhjen midis infeksioneve dhe pranimeve në spital, mund të parandalojë që shërbimi shëndetësor të mbingarkohet nga një valë e re e COVID-19. Javid, i emëruar në fund të muajit të kaluar pasi Matt Hancock u largua si ministër i shëndetësisë, ka nënvizuar rëndësinë e çështjeve të tjera shëndetësore, problemeve ekonomike dhe sfidave të arsimit që janë krijuar gjatë pandemisë. Britania raportoi 27 mije e 334 raste të reja të hënën, dhe 64 përqind e popullsisë tani kanë marr të dyja dozat e vaksinës kundër virusit.