“Ambasadat janë shndërru në degë të VV-së, ambasadorët në zyrtarë të kësaj partie” (VIDEO) NULL NULL 17.12.2025 19:56 17.12.2025 19:56 Ambasadat e Kosovës kanë dështuar në misionin e tyre dhe janë bërë degë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu vlerëson ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi. Në një intervistë për emisionin Kiks Kosova, Arifi pohoi se ambasadorët kosovarë po e luajnë rolin e zyrtarëve të partisë së Albin Kurtit. Kjo thotë ai është një humbje e madhe për Kosovën dhe misionin e shenjtë të diplomacisë. Sipas tij, është zhvleftësuar gjithë puna e madhe e sakrifica e mundi që është bërë nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës për t’u hapur këto ambasada. Fajtorë kryesorë për, siç thotë ai, katandisjen e ambasadave, ish-diplomati i mban Kurtin dhe Gërvallën. Këta, ai thotë se kanë krijuar narrativë se kushdo që nuk është me Lëvizjen Vetëvendosje, është armik i shtetit. Ndonëse misioni i saj është të promovojë Kosovën në botë, ish-ambasadori thotë se Gërvalla e ka devijuar misionin e saj. Megjithatë, me përfaqësimin e saj në ngjarjet ndërkombëtare, Arifi vlerëson se Gërvalla i bën Kosovës më shumë dëm sesa dobi. Më 12 dhjetor të këtij viti, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tre personave, në mesin e tyre edhe ndaj Jovan Viçentijeviq, agjentit të Shërbimit Informativ Ushtarak Serb (VSA), me gradën kolonel, për sulmin në Iber – Lepenc. Mirëpo, për këtë lajm, Arifi thotë se ambasadat në Kosovë nuk i njoftuan shtetet në të cilat ndodhen dhe shtetet e tjera sepse, sipas tij, kanë qenë të zëna me organizimin e fushatës së Vetëvendosjes. Fushata e Vetëvendosjes në Gjermani, e cila sipas kornizës ligjore atje, përbën shkelje të ligjit, ish-ambasadori deklaron se e dëmton imazhin e Kosovës dhe shpërfaq joseriozitet. Arifi ngre dyshime se këto tubimet elektorale të Vetëvendosjes në shtetet e BE-së, ku fushata e politikanëve të huaj është e ndaluar, po bëhen duke raportuar rrejshëm qëllimin e tyre. /Klankosova.tv