Alfredo Jaar: Arkitektura e Prishtinës e dëshmon luftën në këtë vend NULL NULL 08.09.2015 21:46 08.09.2015 21:46 I ftuar i Kushtrim Sadikut në emisionin Info Magazine ishte artisti kontemporan Alfredo Jaar. Jaar është artist, arkitekt dhe regjisor që jeton në New York, ndërsa ka lindur në Santiago de Chile. Puna e tij është ekspozuar gjerësisht në gjithë botën, pasi ka marrë pjesë në Bienalet e Venedikut (1986, 2007, 2009, 2013), Sao Paolos (1978, 1989, 2010), si dhe në Documenta, në Kassel (1987, 2002). Prezantimi i Alfredo Jaar në Prishtinë është rezultat i bashkëpunimit të tij me Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor Prishtinë. Kjo është hera e parë që ai është në Ballkan. “Jam i impresionuar me Prishtinën, është një qytet dinamik”. Jaar e tregoi rrugën e tij jetësore dhe profesionale, se si njëherë kishte studiuar për arkitekturë e më pas kishte hyrë në botën e filmit. “Dëshiroja të bëhesha artist, por babai mendonte se ishte ide e keqe, kështu që më bindi që të studioja arkitekturë”. “Në vitin e 5-të të arkitekturës rashë në depresion nga arkitektura që po ndërtohej. E lash aty dhe fillova që të merresha me film, kështu që u bëra regjisor”. “Por më vonë e pashë lidhjen në mes të filmit dhe arkitekturës dhe e përfundova edhe arkitekturën”. Jaar në fillimet e karrierës së tij jetonte në Kili, por në vitin 1982 shkoi në SHBA. Ai tregon se si mundohej të transmetonte mesazh në një vend ku fjala ishte e cenzuruar. “Një artist mund të krijojë një hapësirë rezistence dhe një hapësirë shprese në mënyrë që t’i tregojë komunitetit që është duke bërë rezistencë”. “Vështirësia ishte që duhej të mësohesha në diktaturë që të flisja ndërmjet rreshtave, e nuk mund të isha kritik i drejtëpërdrejtë ndaj sistemit”. Jaar shprehet se teknologjia është vetëm një prej mjeteve për ta shprehur vetveten. “Teknologjia është një mjet për ta shprehur veten”. “Të gjithë e përdorim teknologjinë, por ajo është vetëm një vegël me të cilën mund ta shprehemi”. Artisti gjithashtu mendon që mediat në përgjithësi i japin shumë pak rëndësi artit kontemporan. “Mediat në përgjithësi nuk janë të interesuara me artistat avangardë, ato janë më tepër të interesuara me artistë të cilët janë bërë milionerë”. Jaar inspirohet nga realiteti që e rrethon. “E gjithë puna ime është përgjigjje ndaj realitetit”. Në njërën prej veprave të tij, ai ka reaguar ndaj gjendjes në Ruandë. “Unë jam shokuar nga indiferenca e të ashtuquajturës ‘Bashkësi Ndërkombëtare’, dhe kjo gjë mua më është dukur e patolerueshme”. Ai tregon se si ishte për të si artist jeta në një vend diktatorial si Kili. “Në Kili duhej të krijohej një hapësirë rezitence sa më poetike e mundshme”. “Projekti më i njohur i imi i asaj kohe quhej ‘Studimi i Lumturisë’. I kisha krijuar disa billborde me pyetjen: ‘A jeni i lumtur?’”. “Kjo ka qenë një pyetje shumë djallëzore, sepse kur punoni në diktaturë, ju punoni nën cenzurë”. “Unë dëshiroja të bëja pyetjen më bazike dhe e pushtova qytetin me këtë pyetje mbi lumturinë”. “Në atë mënyrë unë e krijova një portret të njerëzve të Kilit gjatë kohës së diktaturës”. Jaar shprehet se nga arkitektura në Kosovë mund të vihen re shenjat e luftës. “Unë e përkthej në shenja të arkitekturës”. “Nëse e lexoni qytetin në aspektin arkitektonik, mund të shihni shenja të luftës”. “Mund ta shihni mënyrën se si ndërtesat, sheshet, ngërthehen ndërmjet vete, e ky është rezultat i dhunës në këtë territor”. “Ky është një qytet i vogël, ku gjithçka është e ndërtuar në qendër, me shumë ndërtesa të vogla”. Por, Jaar mendon se këto shenja nga lufta e fundit në Kosovë mund të zhduken, prandaj duhet vullnet institucional për t’i ruajtur. “Qytetet tjera nëpër botë e kanë bërë këtë, e ju keni nevojë për një planifikim urban”. “Është vetëm çështje e vullnetit politik për të krijuar nëj strukturë të tillë”. Për mungesën e vëmendjes që ka media për artin bashkëkohor, Jaar thotë se kjo ndodh për shkak të mungesës së njohurive. “Njerëzit e mediave nuk kanë njohuri për artin bashkëkohor”. “Shifrat e mëdha janë vetëm për 1 përqind të botës së artistike, e cila përbëhet nga mijëra artistë që luftojnë për mbijetesë”. “Unë jam i interesuar për kapacitetin e kulturës për të bërë ndryshim”. “Unë besoj që kultura mund të bëjë ndryshim”. Artisti mendon se vetëm me art dhe kulturë do të mund të të rregullohen marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Arti është mjeti më i mirë i shërimit që është shpikur ndonjëherë”. “Arti mund të krijojë ura dhe lidhje ndërmje armiqëve të dikurshëm”. Ai tregon një shembull se si kultura dhe arti kanë ndikuar në rregullimin e marëdhënieve në mes të afro-amerikanëve në SHBA. “Para 30 vjetësh ishte një gazetar që shkroi një storie për një president afro-amerikan”. “Më pas, shumë këngëtarë dhe artistë, bënë këngë për presidentin afro-amerikan”. “Për 30 vjet, artistët dhe intelektualët krijuan një peisazh kulturor, ku një president afro–amrikan është i mundshëm”. Jaar beson se zgjedhja e Barack Obamës për president në vitin 2008 është rezultat i artit dhe kulturës. “Njerëzit u mësuan me një president afro-amerikan”. “Në atë botë të racizmit, papritmas Barack Obana u zgjodh president”. “Unë iu siguroj që Obama u zgjodh për shkak të kulturës”. Artisti shpjegon se kultura ka më shumë fuqi se sa mendohet. “Arti dhe kultura kanë efekte ndonjëherë të shpejta, ndonjëherë të ngadalta”. “Por, kultura flet”. “Ne vetëm duhet të mësohemi që ta kuptojmë këtë gjuhë”.