Akt heroik: Gjilanasi shpëton gruan që ra me veturë në liqenin e Livoqit (VIDEO) NULL NULL 07.04.2026 08:22 07.04.2026 08:22 Një qytetar nga Gjilani ka kryer një akt heroik, duke shpëtuar jetën e një gruaje e cila kishte rënë me veturë në Liqenin e Livoqit. Faton Tahiri arriti të parandalojë një tragjedi, pasi hyri në ujë dhe nxori gruan nga vetura. Sipas raportimeve, ajo ishte shtatzënë. Nga pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shihet se vetëm pak çaste pasi gruaja u nxor nga uji, vetura u zhyt plotësisht në liqen, njofton Klankosova.tv. Për këtë veprim të guximshëm ka reaguar edhe gazetari i Klan Kosovës, Enis Reçica, i cili i ka bërë thirrje kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, që ta nderojë qytetarin për aktin e tij heroik. “E jashtëzakonshme dhe heroike ajo që bëri dje gjilanasi Faton Tahiri. Ai shpëtoi jetë, dhe shpëtimi i një jete, fetarisht, vlerësohet sikur të shpëtosh gjithë njerëzimin. Ai arriti ta nxjerrë nga vetura një grua, e cila raportohet se ishte shtatzënë. Ajo humbi kontrollin e veturës dhe ra në Liqenin e Livoqit, në Gjilan. Vetëm pak sekonda pasi Fatoni e largoi atë nga vetura, ajo u fundos plotësisht. Kryetar Alban Hyseni, ke mundësinë dhe nderin besoj, ta nderosh një hero me një vlerësim për qytetari aktive”, shkroi Reçica, duke i bashkangjitur edhe pamjet nga rasti në fjalë.