Aksidenti tragjik në KEK: Familja Sadiku ia fal gjakun familjes Shala (VIDEO) NULL NULL 28.02.2026 20:54 28.02.2026 20:54 Më 27 shkurt 2026, rreth orës 10:00, në hapësirat e Termocentralit “Kosova B” në Obiliq, ndodhi një aksident trafiku me fatalitet, ku mbeti i vdekur Migjen Sadiku, pasi dyshohet se u godit nga një kamion. E sot është mbajtur edhe ceremonia mortore për të ndjerin, ku morën pjesë një numër i madh i qytetarëve, raporton Klankosova.tv. Në mesin e tyre ishin të afërmit e viktimës, por edhe pjesëtarë të familjes Shala, familje nga e cila vjen shoferi i kamionit që dyshohet se e goditi Sadikun aksidentalisht për vdekje. Kjo për faktin se familja Sadiku kishte vendosur t’ia falte gjakun e djalit të tyre familjes Shala. “Pas aksidentit tragjik ku humbi jetën djali ynë i dashur, familja Sadiku nga zemra dhe me besim në Zot vendos të falë gjakun e djalit tonë familjes Shala nga Drenica”. “Këtë vendim e marrim me dhimbje të madhe, por me ndërgjegje të pastër, duke besuar se falja është vlera më e lartë njerëzore dhe rruga më e drejtë për paqe e qetësi shpirtërore”. “Zoti e mëshiroftë djalin tonë dhe na dhëntë forcë të gjithëve për ta përballuar këtë humbje të rëndë”. “Lutemi që ky akt faljeje të shërbejë si shembull i mirëkuptimit dhe humanizmit mes njerëzve”, u tha në mesazhin e familjes Sadiku. /Klankosova.tv