‘Aksham pazari’ i punësimeve në Spitalin e Prizrenit (VIDEO) NULL NULL 04.06.2026 19:33 04.06.2026 19:33 Punësimi i Zejnepe Rexhajt, bashkëshortes së deputetit të LVV-së, Arbër Rexhaj, në pozitën e Zyrtares së Lartë Financiare në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit ka nxitur reagime dhe dyshime nga disa kandidatë që morën pjesë në konkurs. Sipas rezultateve të publikuara më 22 maj 2026, Rexhaj u rendit e para me 94.2 pikë nga testi me shkrim dhe intervista me gojë. Njëri nga kandidatët pretendon se rezultati dihej paraprakisht dhe se pozita ishte e destinuar për bashkëshorten e deputetit. Ai thotë se kishte dëgjuar para intervistës se “puna ishte e kryer”, ndërsa pretendon se konkursi ishte përsëritur disa herë derisa kandidatja në fjalë të përzgjidhej. Sipas tij, në të njëjtin konkurs është punësuar edhe një familjare tjetër e deputetit. Megjithatë, SHSKUK i ka hedhur poshtë këto pretendime. Në një përgjigje për Kiks Kosovën, institucioni ka deklaruar se lidhja familjare me një deputet nuk përbën automatikisht konflikt interesi dhe se procesi është zhvilluar në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Edhe Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka deklaruar se komisioni përzgjedhës ka qenë i pavarur dhe se pozita është hapur sipas nevojave të institucionit, pas skadimit të kontratës së zyrtares aktuale financiare. Pavarësisht sqarimeve zyrtare, pretendimet e kandidatëve kanë ngritur pikëpyetje mbi perceptimin e qytetarëve për meritokracinë dhe transparencën në konkurset publike. Kronika të përgatitura nga Kiks Kosova.