AGK-ja dënon fuqishëm sulmet e deputetes Fitore Pacolli kundër gazetares së RTK-së NULL NULL 28.07.2025 22:43 28.07.2025 22:43 Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit të deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi, duke e cilësuar të paprecedent personal dhe shumë të rrezikshëm. Në reagimin e AGK-së shkruhet se deputetja Pacolli e ka shënjestruar gazetaren e Transmetuesit Publik, RTK disa orë pas një interviste të përbashkët në emisionin “Info Plus”, ku ajo u pyet për të gjitha zhvillimet aktuale, duke përfshirë raportimet për përfitimet e mundshme të familjarëve të saj nga buxheti i shtetit. “Kjo formë e linçimit të gazetares nga një deputete e zgjedhur është jashtëzakonisht e rrezikshme, dhe u jep platformë mijëra të tjerëve që të vazhdojnë sulmet. AGK-ja e fton deputeten Pacolli dhe të gjithë zyrtarët e tjerë që të përmbahen nga deklaratat e komentet nxitëse kundër gazetarëve, dhe në vend të kësaj të ofrojnë transparencë, duke u përgjigjur në të gjitha pyetjet e interesit publik”, shkruhet tutje në reagim. Ndryshe, Pacolli pas intervistes në RTK, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook shkroi se “gazetarja kishte misionin e porositur nga jashtë” dhe se “pyetjet e saj ishin të dirigjuara”. /Klankosova.tv