A mund të zgjidhet kriza aktuale nga Kushtetuesja pa marrëveshje politike? NULL NULL 22.06.2025 13:09 22.06.2025 13:09 Gjykata Kushtetuese e Kosovës është duke shqyrtuar me prioritet kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimit të mënyrës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit gjatë procedurës konstituive. Megjithatë, ky organ më i lartë juridik në vend nuk ka treguar se kur pritet të dalë me një aktgjykim për këtë çështje, ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj prejse deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e mbështetur edhe nga disa deputetë të tjerë, ka dorëzuar kërkesën në këtë institucion. Pavarësisht vendimit të mundshëm të Kushtetueses për këtë rast, njohësit e çështjeve politike janë skeptikë se ai do të mund ta zgjidhë krizën aktuale politike në vend. Një ditë para vazhdimit të seancës konstituive për herë të 36-të, theksohet nevoja për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e organeve të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në këtë drejtim, si një opsion tjetër shihet edhe mundësia e parashtrimit të një kërkese në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të sqaruar në mënyrë të qartë nëse partia e parë në zgjedhje mund të konsumojë të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi, edhe nëse nuk ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend. Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, në një përgjigje me shkrim për Kosova Press ka thënë se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së ngritur nga dhjetë deputetët, të cilët dorëzuan kërkesën më 12 maj. “Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar me prioritet nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni,” tha Dula. Ndërkohë, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se kërkesa për interpretimin e votimit të fshehtë nuk do të sjellë ndonjë zgjidhje substanciale për ngërçin politik. Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te procedura e votimit, por te mungesa e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte funksionimin normal të institucioneve. “Kërkesa sesi është bërë nuk është se ka me zgjidhur shumë probleme. Kërkesa është specifike – a mund të bëhet apo jo. Edhe nëse Kushtetuesja vendos që votimi nuk është në harmoni me procedurën e Kuvendit, kthehemi në pikën zero dhe nuk ka ndonjë zgjidhje. Zgjidhja do të ishte nëse i pari mund të mbajë vendin peng për një emër sa herë të dojë që të votohet. Nëse i pari nuk e zgjidh problemin, çka mund të bëhet? Janë disa elemente që nuk zgjidhen vetëm me pyetjen për votimin e fshehtë. Unë nuk pres që të ketë ndonjë zgjidhje tjetër. Nëse s’ka marrëveshje politike, çfarëdo vendimi që merr Gjykata Kushtetuese nuk do të zgjidhë problemin politik,” deklaroi ai. Arifi kërkon nga Presidentja Osmani që të parashtrojë pyetje në Gjykatën Kushtetuese se sa herë ka të drejtë partia fituese të propozojë emrin për kryetar të Kuvendit, në rast se i njëjti nuk arrin të marrë 61 votat e nevojshme. “Presidentja është vonuar me pyetjen në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo nuk ka të bëjë me votimin e fshehtë, por me procedurën që i pari të ketë një limit. Nuk ka sens juridik që të mos ketë kufizime. Nuk mund të shkojmë pafundësisht që i pari, nëse nuk pajtohen të tjerët, ta mbajë përherë këtë pozitë. Kjo është jo logjike, jo funksionale dhe jo pragmatike,” shtoi Arifi. Kuvendi, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve, nuk është konstituar. Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. Që nga 1 maji, Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul që votimi i kandidates së saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të bëhet me votim të fshehtë, pasi e njëjta ka dështuar të zgjidhet në këtë pozitë me votim të hapur gjashtë herë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Jashari takohet me komandantin amerikan, theksohet performanca e dalluar e ushtarëve të FSK-së në SHBA 1 day
Kosova Shea për Klankosova.tv: Konflikti Izrael–Iran mund ta lërë Kosovën jashtë vëmendjes ndërkombëtare 1 day