GUCIA – bukuri që thërret NULL NULL 02.03.2018 15:13 02.03.2018 15:13 GUCIA – qytezë e bukur rrëzë malesh, është pike atraktive turistike, me Krojet e Ali Pashë Gucisë, me gurra uji të ftohtë dhe të pastër, që burojnë nga bjeshka e Bradës së Vezirit. Dikur nëpër Guci kalonin karvanët nga Dubrovniku – Kotori – Shkodra – Peja drejt Stambollit (Kostandinopojës). Kullat e kësaj zone janë karakteristike, të ndërtuara prej gurit të gdhendur nga mjeshtrit dibranë dhe vendorë. Për bukuritë e kësaj zone të malësisë dhe karakteristikat etno-psikologjike të banorëve të saj është shprehur edhe “ Homeri shqiptar “ – At Gjergj Fishta në kryeveprën e vet, “ Lahuta e Malcis”, ku thotë: “Guci është Ora e Shqypnisë”. Për shkaqe politike dhe ekonomike, të njohura për ne, më shumë se gjysma e banorëve të kësaj zonë kanë emigruar, kryesisht në SHBA dhe në Kosovë. Por kjo lëvizje e popullsisë së kësaj zone nuk tregon se këta janë shkëputu shpirtërisht nga vendlindja. Për t’i lidhur shqiptarët e dy shteteve ( Shqipërinë dhe Kosovën) me banorët dhe bukuritë e kësaj zone, Shqipëria e para ka realizuar projektin madhor: rrugën Shkodër – Kelmend – Plavë – Guci, ndërkaq Kosova do të ishte mirë që rrugën Deçan Plavë – Guci, të filluar para disa vjetësh, ta përfundojnë sa më parë. Zona e Plavës dhe Gucisë i ngjan një vajze të bukur, hijerëndë. Ajo i fton bashkëkombësit, ngado qofshin, ta vizitojnë dhe sigurisht se nuk do të pendohen; përkundrazi, do të dehën nga bukuria e saj. Plava dhe Gucia asnjëherë nuk kanë qenë më afër nesh. Rruga nga Shkodra, që të çon nëpër Leqet e Hotit, Tamarë, Selcë, Lepushë, Vermosh, Plave dhe Guci, ka rreth 100 kilometetra, (rreth 2.5 ore). Shkrimi dhe fotografitë janë realizuar nga Nëntor Oseku.