Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Muri 1.5-milionësh që duhej të rrënohej: Dështimi institucional në rrugën Hani i Elezit–Gorancë (VIDEO)

NULL NULL
31.07.2026 19:23

Projekti për sanimin e rrëshqitjes së dheut në rrugën Hani i Elezit–Gorancë ishte paraparë të përfundonte brenda 140 ditësh pune, por realizimi i tij zgjati rreth pesë vjet, duke përfunduar në fund të vitit të kaluar.

Kontrata, me vlerë mbi 1.5 milion euro, ishte nënshkruar në nëntor të vitit 2019 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe konsorciumit të kompanive “Via” Sh.p.k. dhe “Eurokos Holding”.

Megjithatë, problemi kryesor i këtij projekti nuk ishte vetëm vonesa.

Dokumentet e siguruara nga Kiks Kosova tregojnë se punimet e realizuara dyshohej se nuk përputheshin me standardet teknike dhe me obligimet e përcaktuara në kontratë. Në gusht të vitit 2022, një komision i brendshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, kishte inspektuar vendin e punimeve. Pas disa vizitave dhe marrjes së mostrave, komisioni kishte hartuar një raport prej 11 faqesh, të mbështetur edhe nga gjashtë raporte laboratorike.

Gjetja më serioze e raportit ishte se muri mbrojtës duhej të rrënohej plotësisht dhe të rindërtohej nga fillimi. Sipas analizave, betoni i përdorur për themelet, pilotët dhe murin mbrojtës kishte rezultuar më i dobët sesa klasa dhe standardet e kërkuara në kontratë. Përveç problemeve me cilësinë, raporti evidentonte edhe pagesa për punime dhe materiale që dyshohej se nuk ishin realizuar fare në terren.

Në pozicione të ndryshme ishin paguar mijëra kilogramë armaturë që, sipas komisionit, nuk ishin vendosur. Po ashtu, ishin faturuar mijëra metra katrorë punime të parealizuara dhe rreth 1.350 metra katrorë gurë të thyer që nuk ishin përdorur.

Komisioni kishte rekomanduar jo vetëm shembjen dhe rindërtimin e murit, por edhe vendosjen e sistemit të drenazhimit dhe të gjeotekstilit, largimin e materialeve të papërshtatshme dhe realizimin e të gjitha punimeve pa devijime nga kontrata. Në raport paralajmërohej se projekti, në gjendjen e atëhershme, nuk garantonte siguri dhe se rrëshqitja e dheut mund të përsëritej.

Pavarësisht këtyre rekomandimeve, muri nuk u rrënua. Ish-udhëheqësi i komisionit, Hysen Merovci, pasi u rikthye në vendin e ngjarjes, vërejti se objekti kishte filluar të shfaqte sërish defekte. Nga ana tjetër, ish-ministri Hysen Durmishi deklaroi se mund të ishte kryer një superekspertizë tjetër, por nuk dha informacione të sakta nëse ajo ishte realizuar dhe mbi çfarë baze ishte vendosur që muri të mos shembej.

Rasti bëhet edhe më shqetësues për shkak të mungesës së transparencës institucionale. Ministria nuk iu përgjigj brenda afatit ligjor kërkesës për qasje në dokumentet e pagesave, pranimit teknik dhe referencave të lëshuara për kompanitë. Përgjigje nuk dhanë as operatorët ekonomikë që i realizuan punimet.

 

 

lajme të ngjashme