32 vjet burgim për katër të akuzuarit në rastin “Toka 2”, konfiskohen 45 ngastra kadastrale NULL NULL 31.07.2026 14:14 31.07.2026 14:14 Foto: Ueb-faqja e Komunës së Graçanicës / foto ilustruese Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve në rastin “Toka 2” – Mehmet Prishtinës, Dukagjin Emërllahut, Avni Maxhunit dhe Nexharije Hotit. Të akuzuarit janë dënuar me gjithsej 32 vjet burgim dhe 230 mijë euro gjoba për veprën penale “Krim i organizuar”. Aktgjykimi është shpallur nga trupi gjykues në përbërje të Vesel Ismailit, kryetar i trupit gjykues, si dhe gjyqtarëve Kushtrim Shyti dhe Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”. Mehmet Prishtina është dënuar me 10 vjet burgim dhe 100 mijë euro gjobë për veprën penale “Krim i organizuar”. Dukagjin Emërllahu dhe Nexharije Hoti janë dënuar me nga 8 vjet burgim për të njëjtën vepër penale. Emërllahu është dënuar edhe me 80 mijë euro gjobë, ndërsa Hoti me 20 mijë euro gjobë. Ndërkaq, Avni Maxhuni është dënuar me 6 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë. Gjykata i ka liruar të akuzuarit nga akuza për veprën penale “Shpëlarje e parave”. Ndërkaq, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e 45 ngastrave kadastrale, si dhe të mjeteve financiare që gjenden në llogaritë bankare në emër të të akuzuarve Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu. Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë fillimisht për 28 korrik 2026, por u shty për 31 korrik, pasi trupi gjykues vlerësoi se për shkak të dosjes voluminoze, numrit të madh të provave, kompleksitetit të çështjes dhe angazhimeve të gjyqtarëve në seanca të tjera nuk kishte arritur ta përfundonte vendimmarrjen. Rasti “Toka 2” lidhet me dyshimet për përvetësimin e kundërligjshëm të rreth 36 hektarëve tokë në territorin e Prishtinës dhe Graçanicës, përmes një skeme që sipas Prokurorisë ishte organizuar nga viti 2009 deri në vitin 2014. Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda. Fillimisht në këtë rast ishin të akuzuar 24 persona, por gjatë procedurës numri i të akuzuarve u zvogëlua pas vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Në fund të procesit gjyqësor, para trupit gjykues mbetën katër të akuzuar – Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Avni Maxhuni dhe Nexharije Hoti – të cilët ngarkohen me vepra që lidhen me krimin e organizuar dhe vepra të tjera penale. Aktakuza ishte ngritur në mars të vitit 2017 nga një prokuror i EULEX-it, ndërsa më pas lënda ishte bartur në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.