Përballë kritikave për kaos e viza, Infantino mbron “spektaklin” amerikan NULL NULL 27.07.2026 12:25 27.07.2026 12:25 Foto: BBC Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka mbrojtur organizimin e Botërorit të klubeve, duke hedhur poshtë kritikat për problemet me vizat, kufizimet e udhëtimit dhe çështjet e sigurisë gjatë turneut. Infantino ka reaguar pasi disa ekipe dhe tifozë u përballën me vështirësi logjistike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kombëtarja e Iranit, sipas raportimeve, pati vonesa me vizat, ndërsa disa anëtarë të stafit teknik nuk u lejuan të hynin në ShBA. Për shkak të problemeve organizative, skuadra u detyrua ta zhvendoste bazën stërvitore nga Tucson, Arizona në Tijuana të Meksikës, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv. Probleme të ngjashme prekën edhe tifozë nga Haiti, Senegali dhe Bregu i Fildishtë, ndërsa gjyqtari somalez Omar Artan u ndalua të hynte në ShBA, pavarësisht se kishte pasaportë diplomatike dhe vizë hyrëse. Në një reagim të tij, Infantino tha se kritikat po fokusohen te një numër i vogël rastesh, duke theksuar se miliona persona nga e gjithë bota morën leje hyrjeje dhe morën pjesë në turne. Ju përmendët disa persona të cilëve iu refuzuan vizat dhe anashkaluat miliona të tjerë që u miratuan nga të gjitha pjesët e botës. Futbolli bashkon botën dhe kjo u dëshmua fuqishëm këtë verë”, ka shkruar Infantino. Ai ka insistuar se turneu ishte i sigurt, duke deklaruar se pati “zero incidente dhe zero dhunë”, transmeton klankosova.tv, ndërsa atmosfera ishte e mbushur me emocione, gëzim dhe bashkim mes tifozëve. Megjithatë, FIFA po heton disa raste të ndodhura gjatë kompeticionit, përfshirë përleshjet pas finales së Botërorit mes lojtarëve dhe stafit të Argjentinës e Spanjës, si dhe pretendimet për abuzim racist ndaj një influencuesi amerikan. Infantino ka komentuar edhe kritikat për gjykimin, veçanërisht pas vendimit për pezullimin e dënimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, i cili u lejua të luante në një ndeshje pasi pezullimi i tij u shty nga FIFA. UEFA e kishte kritikuar këtë vendim, duke e cilësuar si “të paprecedentë dhe të pajustifikueshëm”, ndërsa Federata Norvegjeze e Futbollit ka shqyrtuar mundësinë e një ankese në komitetin etik të FIFA-s. Infantino, megjithatë, ka thënë se vendime të tilla janë praktike të zakonshme në disa prej ligave më të mëdha të futbollit. Në fund, presidenti i FIFA-s u bëri thirrje kritikëve të turneut që të fokusohen te aspekti pozitiv i futbollit.