Keqpërdorimi i parasë publike gjatë fushatës, Gjini: Do ta nënshkruaj peticionin NULL NULL 23.07.2026 13:43 23.07.2026 13:43 Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur mbështetjen e tij për nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), që synon rregullimin ligjor të përdorimit të parasë publike dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka thënë se në një demokraci normale respektimi i Kushtetutës dhe mosshfrytëzimi i fondeve publike për interesa politike duhet të jenë standarde të padiskutueshme, por sipas tij, abuzimet e viteve të fundit kanë bërë të domosdoshëm ndërhyrjen përmes ligjit. “Ndarja e parave publike disa ditë para zgjedhjeve nuk është politikë sociale, është manipulim i pastër për të blerë vota të qytetarëve me paratë e tyre”, ka shkruar Gjini. Ai ka theksuar se proceset zgjedhore duhet të jenë gara të barabarta dhe jo një mundësi ku pushteti përdor buxhetin e shtetit si mjet elektoral. Gjini ka kërkuar që të ketë përgjegjësi penale për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për keqpërdorimin e parasë publike gjatë fushatave zgjedhore. “Ky abuzim duhet të dënohet me ligj për këdo. Unë do ta nënshkruaj!”, ka përfunduar kryetari i Aleancës. /Klankosova.tv