Ndalohen punimet në 13 vendpunishte në Prishtinë dhe Fushë Kosovë NULL NULL 20.07.2026 19:13 20.07.2026 19:13 Inspektorati Qendror i Punës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe sigurisë e shëndetit në punë, ka realizuar inspektime në një numër vendpunishtesh në komunën e Prishtinës dhe të Fushë Kosovës. Sipas njoftimit, gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve, transmeton Klankosova.tv. IQP ka bërë të ditur se për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë në punë, ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në 13 vendpunishte, deri në eliminimin e të gjitha parregullsive të evidentuara. “Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë në mënyrë rigoroze dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm”, thuhet në njoftim.