Ministri i Singaporit jep dorëheqjen për shkak të “ndërveprimeve me një grua” NULL NULL 20.07.2026 15:55 20.07.2026 15:55 Faishal Ibrahim, ministri në detyrë i Singaporit përgjegjës për çështjet myslimane, ka dhënë dorëheqjen për shkak të ndërveprimeve të tij me një grua, ka bërë të ditur kryeministri Lawrence Wong. “Pjesa më e madhe e ndërveprimeve të tyre kanë ndodhur përmes mesazheve në internet,” tha Wong në një deklaratë të hënën. “Ata gjithashtu janë takuar në margjinat e aktiviteteve publike.” Të dyja palët ngritën akuza për ngacmim ndaj njëra-tjetrës dhe çështja po hetohet nga policia, shtoi ai. Partia e Veprimit Popullor (People’s Action Party), e cila krenohet me një reputacion të pastër e të patëmetë, është tronditur nga një sërë skandalesh politike vitet e fundit, raporton Al Jazeera. Në vitin 2023, ministri i atëhershëm i Transportit, Subramaniam Iswaran, u vu nën hetim për korrupsion së bashku me miliarderin malajzian dhe manjatin e hoteleve, Ong Beng Seng. Një vit më vonë, Iswaran pranoi fajësinë për marrjen e dhuratave me vlerë mbi 380,000 dollarë singaporianë (294,000 dollarë amerikanë) nga Ong – përfshirë bileta për shfaqje në West End dhe ndeshje futbolli – disa prej të cilave ishin në këmbim të avancimit të interesave të biznesit të Ong-ut. Dy anëtarë të lartë të partisë më të madhe opozitare të Singaporit dhanë gjithashtu dorëheqjen në vitin 2023 pasi pranuan se kishin një lidhje jashtëmartesore, ndërsa dy ministra u hetuan dhe u shpallën të pafajshëm lidhur me marrjen me qira të pronave shtetërore. Kjo bëri që ish-kryeministri Lee Hsien Loong të deklaronte se imazhi i partisë së tij ishte dëmtuar nga një sërë skandalesh. Wong tha se nuk ishte kryer asnjë vepër penale nga asnjëra palë në rastin e Faishal-it dhe se nuk do të ndërmerrej asnjë veprim ligjor penal, por shtoi se “shtrohej një çështje e veçantë: nëse sjellja e Profesorit të Asociuar Faishal përmbushte standardet e pritshme për një mbajtës të një posti politik dhe anëtar të parlamentit”. Faishal ka qenë deputet që nga viti 2006 dhe mori detyrën e ministrit përgjegjës për çështjet myslimane në vitin 2025. Tani ai ka dhënë dorëheqjen si nga Partia në pushtet “People’s Action Party”, ashtu edhe nga posti i tij në kabinet. Në letrën e dorëheqjes, të publikuar në faqen e internetit të zyrës së kryeministrit, Faishal deklaroi: “Ndonëse nuk pati asnjë marrëdhënie fizike mes nesh dhe nuk kisha ndërmend që ndërveprimet të shkonin në atë drejtim, unë gabova në gjykimin tim lidhur me mënyrën se si i menaxhova ato ndërveprime dhe dështova të vendosja kufij më të qartë që në një fazë të hershme.” Wong u shpreh i pikëlluar që Faishal po largohej nga politika në rrethana të tilla.