Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Barrikadat në veri, dështon nisja e gjykimit ndaj gjashtë të akuzuarve

NULL NULL
20.07.2026 14:24

Seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj gjashtë të akuzuarve për ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve dhe avokatit mbrojtës.

Në këtë rast akuzohen Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Drobaq, Srdjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq.

Gjyqtari i çështjes, Rrahman Beqiri, tha se në seancë mungoi i akuzuari Maksimoviq, i cili nuk ishte sjellë nga njësia e transportit, pasi gjykata ishte njoftuar paraprakisht për mungesën e avokatit të tij.

Beqiri tha se mungon edhe i akuzuari Nemanja Joloviq, për të cilin ftesa është kthyer e padorëzuar, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas fqinjëve ai është shpërngulur në Serbi.

Sipas gjyqtarit, për shkak se avokati i mëparshëm i Joloviqit kishte revokuar autorizimin, gjykata ka caktuar një mbrojtëse të re sipas rekomandimit të Odës së Avokatëve.

Prokurori i rastit, Admir Shala, propozoi që procedura ndaj Nemanja Joloviqit të veçohet, në mënyrë që procesi të vazhdojë ndaj të akuzuarve të tjerë.

Megjithatë, gjyqtari Beqiri tha se për shkak të mungesës së avokatit Mahmut Halimi nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës, raporton EO, transmeton Klankosova.tv

Sipas aktakuzës, ata, “duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”.

Prokuroria thotë se të akuzuarit kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Ata akuzohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Ngjarjet lidhen me tensionet e dhjetorit 2022 në veri të Kosovës, kur më 6 dhjetor u sulmuan me mjete shpërthyese zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, ndërsa më 9 dhjetor u arrestua ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, në pikën kufitare në Jarinjë.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë ngritën barrikada në veri, të cilat u hoqën më 29 dhjetor, pasi masa e sigurisë ndaj Pantiqit u ndryshua nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së, në vitin 2025 janë dënuar me gjithsej 12 vjet burgim tre persona, përfshirë edhe ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.

lajme të ngjashme