Policia i reagon Eparkisë Rashkë-Prizren: Pretendime të pabazuara, krijojnë perceptim të rremë NULL NULL 17.07.2026 19:39 17.07.2026 19:39 Policia e Kosovës ka hedhur poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave “Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS)”. Eparkia Rashkë-Prizren, në reagimin e saj të publikuar të premten, ka akuzuar institucionet e Kosovës për diskriminim sistematik ndaj serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke pretenduar se institucionet e Kosovës po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi komunitetin serb. Ndërkaq, përmes një reagimi dërguar mediave, PK thotë se pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit. “Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb, të cilët ushtrojnë detyrën mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Policinë, Kodit të Etikës Policore dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit”. “Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike”. “Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale”, u tha ndër të tjera në reagimin e Policisë. Më tej, PK-ja thotë se për më shumë se një dekadë ka garantuar zhvillimin e sigurt të qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. “Çdo vit hartohen dhe zbatohen plane operative të detajuara për sigurimin e këtyre aktiviteteve, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, KFOR-in dhe institucionet tjera relevante”. “Ky bashkëpunim shumëvjeçar përbën dëshmi konkrete të përkushtimit institucional të Policisë së Kosovës për garantimin e ushtrimit të lirë të besimit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve fetare”. “Edhe ceremonia e 28 qershorit 2026 në Gazimestan është zhvilluar mbi bazën e një plani të posaçëm operacional të hartuar nga Policia e Kosovës. Ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga Policia e Kosovës. Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare”, tha Policia. Sipas këtij institucioni, masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik. Vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore bazuar në dëshmitë për secilin rast veç e veç. Në vijim, reagimi i plotë i Policisë: Reagim ndaj komunikatës së Eparkisë Rashë-Prizren Prishtinë, më 17 korrik 2026 Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejtë, profesional dhe të paanshëm të opinionit publik, hedh poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit. Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb, të cilët ushtrojnë detyrën mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Policinë, Kodit të Etikës Policore dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit. Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike. Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale. Respektimi dhe garantimi i lirisë së besimit është një ndër detyrimet themelore të Policisë së Kosovës. Për më shumë se një dekadë, Policia e Kosovës ka garantuar zhvillimin e sigurt të qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Çdo vit hartohen dhe zbatohen plane operative të detajuara për sigurimin e këtyre aktiviteteve, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, KFOR-in dhe institucionet tjera relevante. Ky bashkëpunim shumëvjeçar përbën dëshmi konkrete të përkushtimit institucional të Policisë së Kosovës për garantimin e ushtrimit të lirë të besimit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve fetare. Edhe ceremonia e 28 qershorit 2026 në Gazimestan është zhvilluar mbi bazën e një plani të posaçëm operacional të hartuar nga Policia e Kosovës. Ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga Policia e Kosovës. Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare. Masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik. Vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore bazuar në dëshmitë për secilin rast veç e veç. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare përbën një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të Policisë së Kosovës. Pas transferimit të përgjegjësive nga KFOR-i, Policia e Kosovës mori përgjegjësinë për sigurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke dëshmuar kapacitet profesional dhe institucional në ushtrimin e këtij mandati. Për realizimin e këtij misioni, nga Policia e Kosovës është themeluar Drejtoria për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK). DSOTK-ja përbëhet nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, e ku mbi 16% të tyre i përkasin komunitetit serb, kurse në krye të DSOTK-së është majori nga komuniteti serb. Aktualisht janë 24 objekte të TKF-së serbe që sigurohen 24/7 nga pjesëtarë të PK-së. Varrezat e të gjitha minoriteteve mbikëqyren në baza ditore nga ‘Policia e Komunitetit’ dhe për secilën prej tyre ekziston dosje e veçantë që monitorohet nga policët sektorialë-policët e komunitetit. Sa i përket rasteve ku përfshihen objekte të TKF-së, ofrohen të dhënat zyrtare në vijim: Gjatë vitit 2024, janë evidentuar 53 raste në TKF-së: 34 raste ose 64% kanë ndodhur ne objektet myslimane, 16 raste ose 30% në ato ortodokse dhe 3 raste ose 6% në ato katolike. Në vitin 2025, janë evidentuar 35 raste në TKF: 22 raste ose 63% kanë ndodhur ne objektet myslimane, 10 raste ose 29% në ato ortodokse dhe 3 raste ose 8% në ato katolike. Gjatë periudhës janar-qershor 2026, janë evidentuar 34 raste në TKF: 27 raste ose 79% kanë ndodhur ne objektet myslimane, 5 rast ose 15% në ato ortodokse dhe 2 rast ose 6% ne ato katolike. Natyra e rasteve që lidhen me TKF-në, në shumicën dërmuese të rasteve lidhet me përftime pasurore (vjedhje dhe vjedhje e rëndë). Po ashtu në komunikatën e Eparkisë, përmendet një rast në një fshat të Podujevës. Lidhur me këtë rast më 21.05.2025, policia ka iniciuar rastin ‘Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’. Të gjitha veprimet lidhur me rastin janë marrë në koordinim me organet e drejtësisë. Prokurorja e rastit me aktvendim të dyshuarit i liron në procedurë të rregullt dhe udhëzon vazhdimin e hetimeve në koordinim me institucionet përkatëse rreth pretendimeve se kujt i përket pronësia e kishës. Sa i përket rasteve që lidhen me motive të mundeshe ndëretnike, këto raste trajtohen në vazhdimësi me paanshmëri e profesionalizëm. Rastet e tilla ndër vite kanë ardhur duke rënë, kështu në vitin 2023 janë evidentuar 31 raste, në vitin 2024 janë evidentuar 25 raste, në vitin 2025 janë evidentuar 5 raste. Policia e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet pa dallim, të ofrojë siguri për objektet e TKF-së dhe fton qytetarët që ashtu si deri më tani, të bashkëpunojnë me Policinë në mënyrë që të ruhet e rritet siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës.