Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Atlanta ‘blindohet’ me masa sigurie për ndeshjen Angli-Argjentinë

NULL NULL
14.07.2026 09:37

Masa të shtuara sigurie do të zbatohen për gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës, që do të zhvillohet të mërkurën.

Dy kombëtaret do të përballen në stadiumin e Atlantës, duke rikthyer një nga rivalitetet më të njohura në futbollin ndërkombëtar.

Anglia synon të mposhtë kampionët në fuqi dhe të sigurojë një vend në finalen e parë të Kupës së Botës që nga viti 1966.

 Në vitin 1982, Britania e Madhe dhe Argjentina zhvilluan Luftën e Falklandeve, një konflikt i shkurtër 74-ditor që shkaktoi vdekjen e 649 ushtarëve argjentinas, 255 luftëtarëve britanikë dhe tre civilëve.

Territori britanik përtej detit, i njohur në Argjentinë si Las Malvinas, mbetet ende objekt i një mosmarrëveshjeje për sovranitetin mes dy vendeve.

Policia e Atlantës ka bërë të ditur se është e vetëdijshme për tensionet historike mes dy vendeve, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv

Në një deklaratë zyrtare, Policia e Atlantës bëri të ditur se ka forcuar masat e sigurisë në të gjithë qytetin përpara ndeshjes.

“Ndërsa Atlanta përgatitet të presë gjysmëfinalen e Kupës së Botës dhe një numër të madh banorësh e vizitorësh, Departamenti i Policisë ka rritur nivelin e sigurisë publike në të gjithë qytetin. Personel dhe burime shtesë janë vendosur në stadium, zonat argëtuese dhe vendet me fluks të lartë njerëzish për të garantuar një atmosferë të sigurt dhe të qetë për të gjithë”, thuhet në deklaratë.

Këto masa synojnë mbrojtjen e publikut, parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe krijimin e kushteve që banorët dhe tifozët ta shijojnë këtë ngjarje historike në siguri. /Klankosova.tv

 

lajme të ngjashme