Emiratet e Bashkuara dënojnë sulmin iranian ndaj dy cisternave në Ngushticën e Hormuzit NULL NULL 14.07.2026 07:08 14.07.2026 07:08 Foto nga Getty Images Emiratet e Bashkuara Arabe kanë akuzuar Iranin për sulmin ndaj dy cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit, ku humbi jetën një anëtar i ekuipazhit dhe tetë persona të tjerë mbetën të plagosur. Ngjarja ndodhi në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë të përshkallëzohen. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ShBA do të vendosë një tarifë prej 20% si pjesë e një bllokade të re në këtë rrugë strategjike detare, duke deklaruar se Uashingtoni po e godet Iranin “shumë fort”. Ndërkohë, sulmet ushtarake mes palëve kanë hyrë në natën e tretë radhazi, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv. Ministri i Jashtëm i Iranit reagoi ndaj deklaratës së Trump, duke theksuar se Teherani do të mbetet “ROJTARI” i Ngushticës së Hormuzit, duke përdorur të njëjtin term që kishte përdorur presidenti amerikan. Përplasja për kontrollin e kësaj rruge detare, një nga më të rëndësishmet për tregtinë globale të naftës, rrezikon të minojë çdo përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit. Megjithatë, Trump deklaroi se një marrëveshje mes palëve mbetet ende e mundur. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe, raketat lundruese iraniane goditën dy cisterna të vendit në mbrëmjen e së hënës. Si pasojë e sulmit, një marinar me shtetësi indiane humbi jetën, ndërsa tetë persona u plagosën, katër prej tyre në gjendje të rëndë. Autoritetet bënë të ditur se gjashtë nga të plagosurit janë shtetas indianë, ndërsa dy të tjerë janë ukrainas. “Ministria e Mbrojtjes e dënon këtë sulm, i cili përbën një shkelje të rëndë dhe një cenim të qartë të së drejtës ndërkombëtare, duke rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet në deklaratën e publikuar në platformën X. Nga ana tjetër, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) konfirmuan më vonë sulmin përmes një deklarate të publikuar në Telegram. Sipas tyre, dy cisternat kishin injoruar paralajmërimet, kishin fikur sistemet e navigimit dhe kishin tentuar të kalonin nëpër një korridor detar të minuar.