Ferizaj: 26 drejtues motoçikletash gjobiten, 15 mjete konfiskohen NULL NULL 13.07.2026 14:38 13.07.2026 14:38 Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë javës së kaluar janë shqiptuar 26 gjoba dhe janë konfiskuar 15 motoçikleta. Kontrollet janë zhvilluar nga 6 deri më 12 korrik, me fokus të veçantë te drejtuesit e motoçikletave dhe skuterëve, në kuadër të planit operativ për kontrollin e shtuar të qarkullimit të tyre. Sipas Policisë, gjobat janë shqiptuar për shkelje të rregullave të komunikacionit, përfshirë drejtimin e motoçikletës pa patentë shoferi, pa regjistrim, pa helmetë mbrojtëse dhe kundërvajtje të tjera. Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar edhe 15 motoçikleta/skuterë, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt. Policia ka apeluar te qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut, të përdorin pajisjet mbrojtëse dhe të përshtatin ngasjen me kushtet e rrugës. “Ngasja e papërshtatshme e motoçikletave dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën e drejtuesit dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë, përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës dhe gjithmonë vendosni helmetën mbrojtëse. Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën”, thotë Policia./Klankosova.tv