Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vdekja e Rexhep Gashit në Morinë, BSPK: Duhet mbrojtje ligjore dhe institucionale për policët

NULL NULL
30.06.2026 13:30

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shprehur dhimbje të thellë për vdekjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Rexhep Gashi, i cili humbi jetën pasi u godit nga një veturë në Pikën Kufitare në Morinë.

Në një komunikatë për media, BSPK i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, kolegëve të tij dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Ndër të tjera, BSP i jep mbështetje të plotë Sindikatës së Policisë së Kosovës në shqetësimet e saj të vazhdueshme lidhur me mungesën e një mbrojtjeje të plotë ligjore, institucionale dhe sociale për punonjësit e Policisë së Kosovës.

“Është e papranueshme që ata që çdo ditë mbrojnë rendin kushtetues, sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve të mbeten pa mekanizma të mjaftueshëm mbrojtës për jetën, për shëndetin dhe për sigurinë e tyre në vendin e punës. Çdo humbje e jetës në krye të detyrës duhet të shërbejë si alarm për institucionet përgjegjëse”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.

BSPK thekson se nuk mjaftojnë deklaratat e dhimbjes pas tragjedive dhe se përgjegjësia shtetërore fillon shumë më herët, dhe ajo duhet të fillojë me krijimin e një infrastrukture ligjore dhe institucionale që garanton kushte të sigurta pune, mbrojtje juridike efektive për zyrtarët policorë, trajtim të veçantë të rrezikut profesional dhe përkujdesje të dinjitetshme për familjet e tyre në rastet kur ata plagosen ose bien në krye të detyrës.

“BSPK rikujton se siguria në punë është një e drejtë themelore e çdo punëtori, ndërsa për punonjësit e Policisë kjo e drejtë merr një dimension edhe më të lartë, se ata përballen çdo ditë me rreziqe që tejkalojnë çdo profesion tjetër në shërbim publik. Një shtet që kërkon përkushtim maksimal nga policët e tij ka detyrim të garantojë mbrojtjen maksimale për ta”.

Në fund, BSPK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që, përveç zbardhjes së plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike, të ndërmarrin pa vonesë nisma konkrete për plotësimin e kuadrit ligjor që garanton mbrojtje më të madhe për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, siguri më të lartë në vendin e punës, mbështetje të plotë shëndetësore e sociale dhe trajtim dinjitoz për familjet e tyre kur ata sakrifikojnë jetën në shërbim të Republikës.

“BSPK do të qëndrojë përkrah Sindikatës së Policisë së Kosovës në çdo nismë që synon mbrojtjen e të drejtave, të dinjitetit dhe të sigurisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Mbrojtja e policit nuk është privilegj, ajo është detyrim i shtetit. Se vetëm polici i mbrojtur mund ta mbrojë me dinjitet qytetarin, ta mbrojë ligjin dhe kësisoj ta mbrojë vetë shtetin”./Klankosova.tv

lajme të ngjashme