Mjekja kërkon masa urgjente: Të shkurtohet orari i punës në ndërtimtari për shkak të vapës (VIDEO) NULL NULL 30.06.2026 07:30 30.06.2026 07:30 Punëtorët e ndërtimtarisë që punojnë në ambiente të hapura duhet të kenë orar të shkurtuar ose puna të organizohet në orët e hershme të mëngjesit dhe në mbrëmje, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë Kosovën, ka bërë thirrje mjekja Jehona Krasniqi-Zhuti. Ajo paralajmëron se mosmarrja e masave në kohë mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e qytetarëve. Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, ajo tha se institucionet nuk duhet të mjaftohen vetëm me këshilla për qytetarët, por të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e shëndetit publik. Sipas saj, vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet edhe punëtorëve që punojnë në ambiente të hapura, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë. Duhet të shkurtohet orari i punës ose të organizohet puna në orët e hershme të mëngjesit dhe në mbrëmje. Këto janë vendime praktike që do ta mbronin shëndetin e qytetarëve Krasniqi-Zhuti shtoi se temperaturat e larta dhe luhatjet e mëdha klimatike janë të rrezikshme edhe për personat plotësisht të shëndetshëm, ndërsa theksoi se jo të gjitha institucionet në Kosovë kanë kushte të përshtatshme për t’i përballuar këto temperatura. /Klankosova.tv