Syla: Veteranët të mos flasin në emër të organizatës për protestat në Shqipëri NULL NULL 29.06.2026 09:19 29.06.2026 09:19 Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka deklaruar se organizata nuk ka asnjë qëndrim zyrtar për protestat që po mbahen në Shqipëri, duke theksuar se ato janë çështje të brendshme të shtetit shqiptar. Ai u ka bërë thirrje veteranëve që marrin pjesë në protesta të mos flasin në emër të organizatës. Syla tha se OVL-UÇK nuk ka informacione të mjaftueshme për organizatorët dhe qëllimet e protestave, prandaj nuk dëshiron të përfshihet në to. Syla bëri të ditur se reagimi i organizatës erdhi pasi morën informacione nga dega e OVL-UÇK-së në Tiranë se disa veteranë po tentonin të paraqiteshin në protestë në emër të organizatës. “Neve u kemi bërë thirrje sepse, në bazë të informacioneve që i kemi marrë nga dega jonë në Tiranë, e cila përfaqëson luftëtarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, kemi marrë informacione se ka tendenca që disa bashkëluftëtarë tanë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, shkojnë edhe të flasin e të kenë ndonjë qëndrim eventualisht në emër të organizatës së veteranëve të luftës në këtë protestë”, tha Syla. Sipas tij, çdo veteran ka të drejtë të marrë pjesë në protesta si individ, por jo të përfaqësojë organizatën. Ai shtoi se, përderisa nuk ekziston një qëndrim zyrtar, është e papranueshme që individë të flasin në emër të veteranëve. Syla foli edhe për raportin që OVL-UÇK ka me institucionet shqiptare, duke nënvizuar se organizata dëshiron të ruajë bashkëpunimin institucional pavarësisht se kush është në pushtet. Ai shtoi se organizata nuk ka asnjë vlerësim për protestat, por dëshiron stabilitet në Shqipëri. “Nuk kemi ndonjë vlerësim, ndonjë mendim ose ndonjë qëndrim për protestat që po zhvillohen atje, vetëm se kemi dëshirë me pa shtetin tonë qysh është më së miri, me pa shtetin tonë amë si anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Kemi qejf me pa vetëm lajme të mira, po asnjëherë trazira eventualisht. Edhe këto protesta që i shohim sot nuk na vjen mirë që i shohim, sepse s’kemi qejf me pa asnjë gjë të keqe në shtetin tonë”, tha Syla. Ai u bëri thirrje veteranëve të jenë të kujdesshëm nëse vendosin të marrin pjesë në protesta. /EO