Ekskluzive: Zbulohet dosja e kallëzimit penal ndaj zyrtarëve të Podujevës NULL NULL 09.02.2026 19:26 09.02.2026 19:26 Më 27 janar të 2026-ës, në sirtarët e Prokurorisë Themelore të Prishtinës u shtua edhe një kallëzim i ri penal. Kompania ndërtimore Neto Construction Sh.P.K nga Podujeva, denoncoi kundër 2 zyrtarëve të Komunës së Podujevës dhe një tashmë ish-zyrtari. Akuzat që përmenden në këtë dokument janë mosekzekutimi i vendimeve administrative, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe cenim i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. Në kallëzim penal, përmenden tre emra zyrtarësh ndaj të cilëve Kompania Ndërtimore ka ngritur akuza, Ismet Kadriut, udhëheqës i Sektorit të Urbanizmit, Fatlum Osmanit, ish-drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, dhe Blerina Zeka Bllacës, zyrtare për ndërtimtari në Komunën e Podujevës. E gjithë kjo histori nisi para 9 muajsh kur Neto Construction, me 14 maj të 2025-ës dorëzoi kërkesë në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës, përmes së cilës kërkuan caktimin e kushteve ndërtimore për hartimin e dokumentacionit ndërtimor dhe ndërtimin e ndërtesave shumëbanesore me afarizëm në këtë pjesë të qytetit. Pas gati një muaj më vonë, me 12 qershor, kjo mori një vendim, sipas të cilit, refuzoi këtë kërkesë. Refuzimin, komuna e bëri duke u mbështetur në atë që sipas tyre, kjo parcelë nuk ka qasje në rrugë publike. Por që këtë pikë e kundërshtojnë fuqishëm kompania në fjalë. Pas më pak se një muaj, më 8 korrik, kompania Neto Construction dërgoi ankesë në Ministrinë e Infrastrukturës ndaj vendimit të Komunës. Dy muaj pas, më 15 shtator, Drejtoria e Urbanizmit në Podujevë nxori një vendim të ri, sipas të cilit pezulloi kërkesën e kompanisë për caktimin e kushteve ndërtimore. Teksa, në kallëzim penal, theksohet se ministria, më 24 tetor, konstatoi se vendimi i Komunës së Podujevës qe i pabazuar. Sipas kallëzimit penal, edhe pas këtij vendimi të Ministrisë, Komuna e Podujevës nuk ka nxjerrë vendim të ri por në një përgjigje për palën ankuese, kanë qëndruar prapa vendimit të 12 qershorit që tashmë Ministria si organ epror, e kishte cilësuar si të pabazë. Kompania tutje në kallëzim penal, pretendon se mosveprimi i drejtorisë ka penguar realizimin e investimit dhe ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm. Në kallëzim penal, përmendet se Komuna e Podujevës ka paraqitur padi administrative. Në kallëzim theksohet edhe trajtim i pabarabartë pasi sipas palës ankuese, për parcela fqinje dhe raste të ngjashme janë lëshuar kushte dhe leje ndërtimore, madje edhe për të njëjtët pronarë në vitet e mëparshme. Krejt në fund, kompania Neto Construction ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të ngritet aktakuzë ndaj të pandehurve dhe të njëjtit të shpallen fajtorë në përputhje me ligjin. Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata. Të gjitha detajet i gjeni në linqet e mëposhtme: