Pas protestës për Gazën, Pakistani ndëshkon partinë radikale TLP NULL NULL 17.10.2025 09:25 17.10.2025 09:25 Foto: AFP Qeveria provinciale e Punjabit në Pakistan ka kërkuar ndihmën e autoriteteve federale për të ndaluar partinë e ekstremit të djathtë fetar Tehreek-e-Labbaik Pakistan (TLP), pas protestave të dhunshme që përfshinë vendin këtë javë. Zyrtarët e provincës, në një mbledhje të kryesuar nga kryeministrja e Punjabit, Maryam Nawaz Sharif, kanë miratuar vendime që u përshkruan si “historike” dhe “të jashtëzakonshme”. Edhe pse TLP nuk u përmend drejtpërdrejt në deklaratë, qeveria theksoi se masa synon një “parti ekstreme” që ka nxitur dhunë dhe urrejtje, raporton AlJazeera, transmeton Klankosova.tv. Sipas njoftimit, drejtuesit e partisë do të përfshihen në “Listën e Katërt” të Ligjit Anti-Terrorizëm, që përfshin persona të dyshuar për aktivitete terroriste apo sektare. Përplasjet shpërthyen pas një proteste të thirrur nga TLP më 10 tetor, me qëllim kundërshtimin e një plani paqeje për Gazën të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe i mbështetur edhe nga qeveria pakistaneze më 13 tetor. TLP e cilësoi planin si “komplot kundër popullit palestinez” dhe nisi të ashtuquajturin “Marshi Al-Aksa Gaza” nga Lahore drejt kryeqytetit Islamabad, me synimin për të protestuar para ambasadës amerikane. Policia bllokoi rrugët dhe vendosi pengesa nëpër autostradën kombëtare, por protestuesit arritën të depërtojnë deri në qytetin Muridke. Aty, rreth orës 02:00 të mëngjesit të së hënës, autoritetet ndërhynë me një operacion të gjerë për shpërbërjen e kampit protestues. Sipas policisë, përplasjet rezultuan në vdekjen e një zyrtari policor dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar mbi 2,700 persona dhe kanë ndaluar daljen jashtë vendit për afro 2,800 të tjerë. /Klankosova.tv