Ambasada e Gjermanisë: Moskonstituimi i Kuvendit po dërgon sinjale të gabuara te partnerët në NATO dhe BE NULL NULL 29.07.2025 11:30 29.07.2025 11:30 Seanca e datës 3 korrik për konstituim të Kuvendit. Foto: Kuvendi i Kosovës Gjermania është shprehur e shqetësuar lidhur me situatën politike në Kosovë. Ambasada gjermane në Prishitnë përmes një përgjigje për Klankosova.tv ka thënë se bllokimi me rastin e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës jo vetëm që po e vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës, por edhe po rrezikon progresin dhe besueshmërinë për të cilën Kosova ka punuar me vite. “Për më tepër, duke mos ecur përpara me formimin e një Kuvendi funksional, ky bllokim pengon drejtpërdrejt Kosovën të ndërmarrë hapat e ardhshëm drejt integrimit euroatlantik, duke dërguar sinjalin e gabuar te partnerët në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për Klankosova.tv. Tutje në përgjigje theksohet se udhëheqësit politikë duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për t’i dhënë fund kësaj krize. “Në javët e ardhshme ata duhet të bien dakord për konstituimin e Kuvendit – duke filluar me zgjedhjen e një Kryetari dhe Zëvendëskryetarëve – dhe të ofrojnë një lidership të qëndrueshëm të bazuar fort në Kushtetutë. Qytetarët e Kosovës meritojnë zyrtarë të zgjedhur që veprojnë me vendosmëri dhe në interesin e tyre më të mirë, në vend që të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për të zgjidhur një bllokim që vetëm politika mund ta thyejë”, theksohet tutje në përgjigje. Ambasada e Gjermanisë ndër të tjera shtoi se në arritjen e një kompromisi mund të luajë rol edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. “Ne gjithashtu besojmë se Presidenti i Kosovës mund të luajë një rol kyç në thirrjen e bisedimeve ndërpartiake dhe në udhëzimin e të gjitha palëve drejt kompromisit. Lidershipi presidencial në deeskalimin dhe ndërtimin e konsensusit do të ndihmonte në rivendosjen e besimit dhe momentumit në procesin demokratik”. Gjermania mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për zhvillimin demokratik të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të punojmë me Qeverinë e ardhshme të Kosovës për të çuar përpara ambiciet euroatlantike të saj. Nga 27 korriku e deri më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masën e pezullimit duke ua ndaluar deputetëve të betuar çdo hap në drejtim të konstituimit të Kuvendit. Kjo pasi që as pas caktimit të afatit prej 30 ditësh, nuk u arrit formimi i legjislaturës së nëntë. Për konstituimin e Parlamentit janë mbajtur 54 seanca, por asnjëra nga ta nuk dha rezultat.