Katër të vdekur, dhe dhjetëra të zhdukur pas fundosjes së tragetit në brigjet e Balit NULL NULL 03.07.2025 07:27 03.07.2025 07:27 Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë të zhdukur pas mbytjes së një trageti pranë ishullit turistik të Bali-t, njoftuan shpëtimtarët. Trageti, që po transportonte 53 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, u mbyt rreth orës 23:20 me orën lokale (15:35 GMT) të mërkurën, gjatë udhëtimit të tij nga Banyuwangi në bregun lindor të ishullit Java, drejt Bali-t, sipas zyrës së Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit në Surabaya. Agjencia njoftoi se 29 të mbijetuar janë shpëtuar dhe se kërkimet vazhdojnë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv. Autoritetet po hetojnë shkakun e mbytjes. Operatori i tragetit tha për median lokale se anija kishte raportuar probleme me motorin pak para se të mbytej. Shumica e të mbijetuarve janë banorë të qytetit bregdetar të Banyuwangi, ndërsa disa të tjerë vijnë nga zona më të thella të Java-s, sipas një liste të publikuar nga autoritetet. Presidenti Prabowo Subianto ka urdhëruar një përgjigje urgjente, ndërkohë që ai është në një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite. Rruga e tragetit, një nga më të frekuentuarat në Indonezi, shpesh përdoret nga vendasit që udhëtojnë mes ishujve Java dhe Bali. Fotografi të publikuara nga agjencia e lajmeve Antara treguan ambulanca të gatshme dhe banorë që po prisnin përditësime pranë rrugës. Aksidentet detare janë të shpeshta në Indonezi, një arkipelag me rreth 17,000 ishuj, ku zbatimi i rregullave të sigurisë ka qenë një shqetësim i gjatë. Në mars, një grua australiane humbi jetën pas mbytjes së një anijeje me 16 persona në bord pranë Bali-t. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.