Katër shpella unike të Kosovës në pulla postare NULL NULL 18.06.2025 10:26 18.06.2025 10:26 Posta e Kosovës, në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, lansoi sot emisionin më të ri të pullave postare kushtuar katër prej monumenteve natyrore më të veçanta të vendit: Shpella e Kusarit, Shpella “Gryka e Madhe”, Shpella e Hoxhës dhe Shpella e Demës. Ky emision paraqet një udhëtim vizual të pasur nëpër thesaret nëntokësore të vendit tonë – dëshmi të rralla të gjeologjisë, arkeologjisë, biodiversitetit dhe historisë sonë të lashtë. Përmes këtyre pullave, publiku ka mundësinë të njihet me vlerat e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore që i ofron Kosova, transmeton Klankosova.tv. Shpella e Kusarit, gjendet pranë fshatit të lashtë Kusar në rajonin e Gjakovës, është pjesë e peizazhit karstik të Malit Pashtrik. E formuar në shkëmbinj gëlqerorë me një histori mijëvjeçare, shpella mbart gjurmë të banimit të hershëm dhe ofron një ambient unik për studiuesit dhe vizitorët. Shpella “Gryka e Madhe”, e pozicionuar në kilometrin e tetë të Grykës së Rugovës, 60 metra mbi shtratin e Lumëbardhit të Pejës, ofron një pamje imponuese që i ngjan një tempulli natyror. Brenda saj gjenden stalaktite dhe stalagmite të mahnitshme, lumenj e liqene nëntokësore, duke e renditur këtë shpellë ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe rajon për nga vlera speleologjike dhe turistike. Shpella e Hoxhës, mbi fshatin Vrellë të Istogut, në masivin malor të Moknës, përfaqëson një lokalitet arkeologjik me rëndësi të madhe. Ajo ka qenë e banuar që nga parahistoria e deri në kohët moderne. Brendësia e saj ruan fragmente qeramike, gurë të punuar dhe një liqen të brendshëm, që formohet nga pikimi i vazhdueshëm i stalaktiteve. Shpella e Demës, e cila ndodhet në hyrje të Grykës së Rugovës, pranë Patrikanës së Pejës, shquhet për vlerat e saj historike dhe biologjike. Si lokalitet arkeologjik, kjo shpellë simbolizon lidhjen e përhershme ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke ruajtur gjurmë të qëndrueshmërisë njerëzore nëpër shekuj. Përmes këtij emisioni të veçantë, Posta e Kosovës thotë se synon të promovojë dhe të nxisë vetëdijen për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Kosovës. Pullat postare shërbejnë jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si ambasadorë të vlerave tona kombëtare në botë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Abazi: Nëse është gëzuar dikush më së shumti për Gjykatën Speciale është vetë Kurti (VIDEO) 1 orë më parë