Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Si u humb momentumi në Ballkanin Perëndimor?

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 14.06.2025 11:59
Blerim Shala
Blerim Shala

Secili qershor për ne shqiptarët e Kosovës ka domethënien e njëjtë: Është muaji që në atë kalendarin historik na kthen në vitin 1999-të, kur u çliruam nga Serbia, nga okupimi që kishte nisur në nëntorin e vitit 1912.

Janë bërë pra 26 vjet të plota nga përfundimi i luftës.

Kujtesa për te, për luftën, mbijeton tutje tek ne, sepse shumë pasoja të saj ende janë të gjalla. Kemi ende të pagjetur nga kjo luftë, kemi krime dhe kriminel të pandëshkuar të luftës, kemi mohim të plotë të autoriteteve të sotme të Serbisë  (që kanë qenë edhe atëherë në pushtet), të tragjedisë së shkaktuar nga pushteti i Beogradit të asaj kohe, nuk kemi proces të mirëfilltë të pajtimit midis dy shoqërive, dy popujve, dy shteteve, teksa ai synimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sot duket më larg, shumë më larg se sa që ka qenë ta zëmë para dhjetë viteve.

Këto krahasime sa vijnë e marrin ngjyrime edhe më të zymta kur ky raporti i zhvillimeve të pas-luftës, të më shumë se një çerek shekulli, krahasohet me ato në Evropën Perëndimore, 26 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, që ishte kasaphane e paparë në historinë e Evropës.

Evropa Perëndimore e vitit 1971, e kishte shumë të qartë identitetin e vet politik, falë një pajtimi të madh në mes të Francës dhe Gjermanisë, kishte nisur rrugëtimin për ta bërë bashkimin evropian Projekt final të paqes evropiane, teksa partneriteti politik dhe ushtarak i saj me SHBA-në, veçmas në kuadër të Aleancës Veri-Atlantike, i ofronte asaj ombrellën e sigurisë së pacenueshme.

Kujt në Evropën e vitit 1945-të, e cila anekënd ishte shndërruar në një gërmadhë, nuk ia ka marrë mendja që një çerek shekulli më pas Evropa do të mëkëmbej aq mirë, dhe do të bashkëpunonte aq shumë në të gjitha aspekte e mundshme.

Por ja që ndodhi mrekullia.

Në rastin e Kosovës dhe të zhvillimeve rajonale, kush këtupari, por as në kryeqendrat evropiane, në atë momentin kulmor të fuqisë politike dhe ushtarake të Perëndimor, nuk ka mundur të imagjinoj dot që kjo supremaci e gjithfarshme e SHBA-së dhe Evropës, nuk do të marr trajtën e një stabilizimi afatgjatë të gjithë Ballkanit Perëndimor, në të gjitha dimensionet e tij, si dhe të integrimit të gjithë kësaj ane të Evropës në Bashkimin Evropian.

Zaten, Samiti i BE-së i mbajtur në Selanik në qershorin e vitit 2003, u bë pikërisht për të treguar dhe për ta konfirmuar perspektivën e përfshirjes në Bashkimin Evropian të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitet 2006 dhe 2008 u krijuan dy shtetet e fundit të dala nga kriza e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë  (Mali i Zi dhe Kosova), prandaj dukej që tash e tutje nuk ka kush ta ndalë as rajonin vet, dhe as BE-në, për ta përmbyllur një ndërmarrje konkluduese të rrumbullakësimit territorial, politik, qytetërues por edhe historik të Evropës.

Por ja që, siç e dimë të gjithë ne që jetojmë këndejpari, nuk ndodhi ajo çfarë ishte paparë dhe që ishte planifikuar në Bruksel dhe në Washington.

U humb momentumi i fituar gjatë viteve të nëntëdhjeta, dhe ngathtësia nga perspektiva e sotme e pakuptimtë dhe e pajustifikuar e Perëndimit, krijoi mundësi dhe rrethana të volitshme për një prapakthim të thuaja gjithë Ballkanit Perëndimor, apo, për shtyrje, madje edhe për kontestim  (prej shumëkujt), të asaj finales solemne të shtrirjes së BE-së edhe me gjashtë shtetet e kësaj pjese të Evropës.

Më në fund, në aspektin politik, atje në fillim të këtij shekulli, pra në vitet 2001-2003, të thuash nuk kishte dallime në atë orientimin strategjik të gjitha vendeve/ shteteve të kësaj ane evropiane, prej Sllovenisë në Veri e deri te Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në jug, se si duhet të ndodhë transformimi i brendshëm i shoqërive dhe politikës të këtyre vendeve, me qëllim të vetëm që të hyhet në BE.

Në ndërkohë, Sllovenia dhe Kroacia janë bërë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian, teksa më nuk ka unitet të plotë dhe të mirëfilltë kur bëhet fjalë për orientimet strategjike të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Rajoni sot, në përgjithësi është larg atij të fillimit të shekullit, kur flitet për një entuziazëm dhe gatishmëri për të qenë pjesë e BE-së. Dhe anasjelltas, gjithsesi.

Fatkeqësisht.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme