Fundi i mandatit: Kurti me ministra s’lëshojnë lopatat nga duart (VIDEO) NULL NULL 23.01.2025 20:28 23.01.2025 20:28 Data e zgjedhjeve u caktua e qeveria përveshi mëngët. Më 25 nëntor vuri gurthemelin për Parkun Industrial në Drenas, raporton Klan Kosova. Një muaj më pas, ekzekutivi qendror zbarkoi në këtë komunë edhe për një nisjen e ndërtimit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Me lopata, përgjatë kësaj kohe, goxha punë pati edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Ajo vendosi themele për dy projekte në Shtime, një çerdhe e po ashtu edhe një aneks të shkollës “Bajram Curri” në fshatin Petrovë. Pak ditë më parë, vuri bazamentin e një institucioni arsimor në lagjen “Prishtina e Re”. Për këtë të fundit e kishte ftuar drejtoreshën e Arsimit të Komunës së Prishtinës, Jehona Lushakun, por e cila e kishte refuzuar ftesën. Gurthemelet nga Nagavci, në disa raste e shoqëruar edhe nga shefi qeveritar e partiak, Albin Kurti, nuk kanë munguar as në Bellanicë të Malishevës, e në fshatrat Rekë e Vatë të Kaçanikut. Krejt këto, Lëvizja ‘Fol’ thotë se kanë vetëm një qëllim: kapjen e votave. Por, sipas saj, këto angazhime në kohë fushate do t’u shkojnë huç, pasi qytetarët nuk do të joshen më me këso lloj aktivitetesh në prag të zgjedhjeve. Sikurse ministrja e Arsimit, kanë vepruar edhe ministra tjerë, si Xhelal Sveçla i Punëve të Brendshme, Arben Vitia i Shëndetësisë e disa të tjerë, por edhe kryetarë komunash që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje. /Klankosova.tv