Komshiq pas takimit me Kurtin: S’e pyesim Dodikun me kë të takohemi e çka të flasim NULL NULL 06.12.2024 12:34 06.12.2024 12:34 Anëtari i Presidencës së BeH-së, Zhelko Komshiq, në takim me kryeministrin Albin Kurti në Sarajevë, 6 dhjetor, 2024. Foto: Presidenca boshnjake Kryeministri Albin Kurti po zhvillon një vizitë në Sarajevë, Bosnje e Hercegovinë. Ndonëse është pritur të marrë pjesë në një samit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, i njëjti u anulua si pasojë e reagimit të palës serbe. E sot, Kurti ka shkuar në Presidencën boshnjake, ku është pritur në një takim nga anëtari i saj, Zhelko Komshiq, raporton Klankosova.tv. Komshiq, sipas njoftimit për media nga kabineti i tij, ka falënderuar kryeministrin Kurti për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës, duke theksuar se e vlerëson një veprim “kaq të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe rrjedhimisht të pazakontë” të kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës. “Kjo lëvizje sigurisht që do të kontribuojë në një lidhje më të mirë mes qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e tregtisë së ndërsjellë”, citohet të ketë thënë Komshiq. Anëtari i presidencës boshnjake me këtë rast iu referua kritikave lidhur me vizitën e Kurtit dhe takimet që ai do të ketë në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga entiteti i Republika Sërpskas në Bosnje e Hercegovinë dhe rajoni, duke kujtuar se “RS nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS nuk është kompetente për të lëshuar viza për hyrje në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe se anëtarët e Presidencës së BeH sigurisht që nuk do të pyesin as Dodikun e as dikë tjetër se me kë do të takohen dhe çfarë do të diskutojnë”. “Ne i perceptojmë kritikat që vijnë nga vendet e rajonit si një tjetër dëshmi e qartë e përpjekjeve për të mohuar sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe presion mbi organet dhe institucionet sovrane të BeH-së në drejtimin e politikës së jashtme”, tha Komshiq. Me këtë rast, dyshja diskutuan për proceset e përgjithshme politike dhe sociale në rajon. Çka tha Dodiku për vizitën e Kurtit në Sarajevë? Presidenti i Republika Sërpskas, Millorad Dodik, me rastin e njoftimit për vizitën e Kurtit në Sarajevë, tha se “gjërat në Bosnje dhe Hercegovinë do të komplikohen ndjeshëm nëse kryeministri i Kosovës Albin Kurti vjen në Sarajevë”. Ai përsëriti se faktori serb në Bosnje dhe Hercegovinë nuk e lejon dhe nuk do ta lejojë njohjen e Kosovës. “BeH nuk e ka njohur Kosovën. Nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ajo zonë të hyjnë me letërnjoftim sepse kjo do të nënkuptonte njëfarë njohje të të ashtuquajturës Kosovë. Në këtë drejtim, kemi lajme se Kurti po arrin në Sarajevë. Dhe kur ne ndërhymë dhe thamë se do të ishte kapaku i problemeve serioze mes nesh në Bosnje-Hercegovinë, atëherë menduan ta ftojnë në një seancë me një organizatë joqeveritare. Prandaj, ata janë këmbëngulës që ta sjellin në Sarajevë dhe të provokojnë, e pastaj të na thonë se Serbia po bën diçka të gabuar, edhe pse respekton integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Dodiku, raporton Klankosova.tv. Ai theksoi se Serbia respekton integritetin territorial të BeH, por është e qartë se Sarajeva nuk e respekton integritetin e Serbisë. Kush e ftoi Kurtin në BeH? Kryeministri Albin Kurti e nisi vizitën e tij në Sarajevë me një takim në Kryesinë e Bosnje-Hercegovinës, ndërsa më pas do të ketë një takim në Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa pasdite do të jetë folës kryesor në seancën e Asociacionit të Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”. Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, zëdhënës i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se samiti është anuluar për shkak të disa problemeve, të cilat tha se i ka bërë të njohura organizatori. “Kryeministri i Republikës së Kosovës udhëton sot (5 dhjetor) nga Brukseli për në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samit është anuluar”, ka theksuar ai. Kryeziu tha se Kurti do të zhvillojë disa takime në Sarajevë. “Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politikë, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur ‘Krug 99’”, theksoi ai. Kryeministri Kurti po viziton BeH-në me ftesë të Adil Kulenoviqit, kryetar i organizatës joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”. /Klankosova.tv