Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kore e Jugut: Opozita po tenton ta shkarkojë presidentin

NULL NULL
nga Iliri Pireva 04.12.2024 20:50

Tensionet politike në Korenë e Jugut kanë arritur kulmin, pasi Asambleja Kombëtare votoi për shfuqizimin e ligjit ushtarak të shpallur nga presidenti Yoon Suk Yeol. Vetëm pak orë pas shpalljes së tij, ky akt u shfuqizua në mënyrë të prerë, duke e lënë presidentin në një pozitë të dobësuar përballë opozitës.

Ligji ushtarak u shpall nga Yoon si një përpjekje për të “shfarosur forcat antishtetërore”, pas dështimit për të miratuar agjendën e tij në Kuvendin e mbizotëruar nga opozita. Mirëpo, ky veprim i presidentit u konsiderua si një përpjekje e rrezikshme për të minuar demokracinë në vend.

Shoqëria civile dhe mediat u bashkuan menjëherë me revoltën kundër Yoon-it, duke rritur presionin ndaj partive opozitare për të ndërmarrë hapin ekstrem të një mocioni mosbesimi ndaj tij.

Për të shkarkuar presidentin, opozita ka nevojë për 200 vota nga 300 deputetë në Parlament. Aktualisht, opozita ka 192 ulëse, por votimi për shfuqizimin e ligjit ushtarak tregoi shenja çarje brenda partisë së Yoon-it, Fuqia e Popullit, ku 18 deputetë dolën kundër tij.

Kjo krizë politike ka tërhequr vëmendjen edhe të Uashingtonit. SHBA, që ka rreth 30,000 trupa të vendosura në Korenë e Jugut për të përballuar kërcënimet nga Koreja e Veriut dhe Kina, shpreh shqetësime për ndikimet e mundshme të kësaj situate në stabilitetin rajonal.

Në një kohë kur Koreja e Veriut, Kina dhe Rusia po forcojnë aleancat e tyre, një destabilizim i Koresë së Jugut mund të ketë pasoja serioze në Azi dhe më gjerë.

lajme të ngjashme