Punëtorët e VW-së propozojnë uljen e pagave NULL NULL 20.11.2024 21:05 20.11.2024 21:05 Automjete të VW-së. Foto: dpa/picture alliance Punëtorët e sindikatës gjermane IG Metall të mërkurën ndërmorën hapin e jashtëzakonshëm, duke ofruar të pranojnë uljen e pagave për të shmangur pushimet masive nga puna dhe mbylljen e fabrikave të planifikuara nga prodhuesi gjerman i automjeteve, Volkswagen. Përpara raundit tjetër të negociatave kolektive, sindikata dhe këshilli i punonjësve i VW-së kanë propozuar uljen e kostove të pagave me 1.5 miliard euro. Në këmbim, punonjësit kërkojnë garanci për sigurinë e punës dhe të ardhmen e nëntë fabrikave të grupit VW në Gjermani, raporton DW. Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, sindikata ka bërë të ditur se një grevë e madhe mund të jetë e pashmangshme. “Për shkak se nevojiten zgjidhje të qëndrueshme, ne po kalojmë në ofensivë dhe po paraqesim një koncept zgjidhjeje”, tha Daniela Cavallo, kryetare e këshillit të punonjësve. “Ky është një kundërmodel ndaj planit të bordit të shkurtimit të vendeve të punës, i cili parandalon të ardhmen në vend që ta krijojë atë”. Cavallo sugjeroi gjithashtu që drejtuesit e lartë të heqin dorë nga bonuset e tyre për të lehtësuar problemet financiare të kompanisë. Problemet e prodhuesit gjerman të automjeteve shihen një simbol i problemeve më të gjera ekonomike të Gjermanisë. Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen përballet me krizë të paprecedentë. Pse është në vështirësi Volkswagen-i? Në shtator, gjigandi gjerman i automobilave njoftoi se do të mbyllte tre fabrika si pjesë e masave për uljen e kostove dhe do t’i jepte fund një plani të gjatë bujar pensionesh. Grupet e punonjësve janë zotuar për rezistencë masive ndaj pushimeve masive nga puna. Që nga viti 2019, prodhuesit gjermanë të automjeteve kanë shkurtuar rreth 46.000 vende pune si pjesë e një ndryshimi drejt prodhimit të automjeteve elektrike. Konkurrenca nga automjetet më të lira elektrike kineze dhe një situatë e përgjithshme ekonomike jo e mirë në Gjermani e kanë dëmtuar më tej industrinë e automobilave. Në tetor, Volkswagen njoftoi një rënie prej 64% të fitimeve dhe vendimin për të mbyllur tre fabrika, duke shkaktuar një protestë midis punëtorëve. Kompania njoftoi synimin e saj për të reduktuar buxhetin me rreth 18 miliardë euro. /DW