Kamberi: Vuçiqit iu prezantuan kërkesat legjitime, qasja ndaj shqiptarëve të ndryshojë NULL NULL 26.02.2024 11:06 26.02.2024 11:06 Deputeti shqiptar në parlamentin serb. Shaip Kamberi Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq iu është prezantuar kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës. Ai tha se qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë, njofton Klankosova.tv. “Me presidentin Vuçiq diskutuam edhe për nevojën e privatizimit të Banjës së Bujanocit, rritjes së investimeve në nivel lokal dhe ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve”, bëri të ditur Kamberi përmed një postimi në Facebook. “Presidentit Vuçiq i prezantuam kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7 pikësh, ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qendror por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi jonë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal. Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë”. “Rasti i mjekëve të diskriminuar të Preshevës kërkon zgjidhje urgjente, njëjtë sikur integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në polici”, tha Kamberi. “Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës në to do duhej të jenë agjendë e qeverisë së re ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç në Ismail Kadare do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë. Diplomat kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga to varet edhe avancimi i pozitës së shqiptarëve të Luginës dhe sigurimi i një perspektive më të mirë për të gjithë”. “Institucionet shtetërore në nivel lokal duhet të hapin dyert për integrimin e shqiptarëve. Mbyllja e tyre nënkupton përjashtim të popullësisë shumicë në Luginë të Preshevës. Beteja jonë në realizim e kërkesave tona vazhdon!”.