Ukraina thotë se është e gatshme t’i zmbrapsë veprimet sulmuese të Rusisë në Bakhmut NULL NULL 30.10.2023 20:11 30.10.2023 20:11 Zyrtarët ushtarakë të Kievit thanë të hënën se Rusia ka grumbulluar forcat e saj rreth qytetit të shkatërruar të Bakhmut në Ukrainën lindore dhe se trupat e saj nga mbrojtja kanë kaluar në sulm, por Ukraina është duke u përgatitur për të zmbrapsur sulmet. Rusia pushtoi Bakhmutin, “teatrin” e disa prej luftimeve më të përgjakshme të luftës 20-mujore, në maj. Ukraina nisi një kundërofensivë në qershor me qëllim rimarrjen e tokës së pushtuar në jug dhe lindje të vendit, duke përfshirë Bakhmutin. “Në zonën Bakhmut, armiku ka forcuar ndjeshëm grupimin e tij dhe ka kaluar nga mbrojtja në veprime aktive”, shkroi në Telegram gjenerali Oleksandr Syrskyi, komandanti i forcave tokësore të Ukrainës. Volodymyr Fityo, kreu i komunikimeve për komandën e forcave tokësore të Ukrainës, tha se forcat ruse ishin përgatitur që në fillim të këtij muaji për të rimarrë pozicionet rreth Bakhmutit të humbura gjatë kundërofensivës ukrainase. Në raportin e tij të natës, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e Kievit mbetën në ofensivë pranë Bakhmutit. Trupat ruse gjithashtu u përpoqën të përparonin në Synkivka, në veri të Kupiansk, por nuk bënë përparim, thanë ukrainasit. Rusia gjithashtu ka përqendruar shumicën e përpjekjeve të saj në javët e fundit në një përpjekje për të rrethuar dhe kapur Avdiivka, një qytet strategjik në jugperëndim të Bakhmutit, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.