Ministrat e jashtëm të BP-së e Baerbock në Tiranë, temë edhe tensionet Kosovë-Serbi NULL NULL 06.10.2023 10:28 06.10.2023 10:28 Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë masat e mundshme të BE-së kundër Serbisë me disa homologë të BE-së dhe komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi në një samit të premten në Tiranë. Samiti i Berlinit është planifikuar për në 16 tetor, me një sërë takimesh ministrore që do të zhvillohen në Tiranë në prag të samitit. Takimi do të mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp të ministrit të Jashtëm shqiptar Igli Hasani me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe Varhelyi, raporton “Euractiv”, transmeton Klankosova.tv. Baerbock pritet të zhvillojë takime të ndara me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa mundësia për një takim të përbashkët është ende e pasigurt. Sulmi i fundit terrorist në veri të Kosovës pritet të jetë në qendër të bisedimeve, si dhe thirrjet në rritje nga Kosova dhe Shqipëria për një qëndrim më të ashpër të BE-së dhe vendeve anëtare ndaj Serbisë. Këto kërkesa u paraqitën në Parlamentin Evropian këtë javë, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama e bëri të qartë se pret më shumë nga BE-ja. Javën e kaluar ai u distancua nga politika e jashtme e BE-së për herë të parë. Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se vendi do të tërhiqej nga nisma “Ballkani i Hapur” nëse vërtetohet se Serbia ka qenë e përfshirë në sulmin terrorist. “Ballkani i Hapur” u krijua mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut me synimin për të intensifikuar tregtinë dhe bashkëpunimin në një kohë kur zgjerimi i BE-së është në stagnim. Ndërsa Rama tha se nisma i ka shërbyer qëllimit të saj dhe fokusi është tani në Procesin e Berlinit, si Serbia ashtu edhe Maqedonia e Veriut kanë shprehur dëshirën që ajo të vazhdojë. Burime qeveritare i thanë “Euractiv” se procesi nuk ka vdekur, por do të mbetet – edhe nëse BE-ja zhgënjen shpresat e rajonit me vonesa të panevojshme. Samiti i Berlinit mbledh së bashku ministrat e jashtëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, së bashku me homologët e tyre nga Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar. /