Mali i Zi arreston edhe një të dyshuar për krime lufte në Kosovë NULL NULL 05.10.2023 15:58 05.10.2023 15:58 Policia malazeze ka njoftuar sot se ka arrestuar një person të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë, që është arrestimi i dytë i të dyshuarve për krime lufte në dhjetë ditët e fundit. Policia në Herceg Novit ka arrestuar dje I.B. (48) nga Kosova, sipas fletarrestit të Interpolit dhe për të siguruar praninë e tij në procedurën penale kundër tij në Kosovë, ka thënë policia malazeze. Gjykata e Lartë në Podgoricë i ka caktuar të arrestuarit masën e paraburgimit ekstradues. Në njoftimin e policisë nuk jepen detaje të tjera. Ky është arrestimi i dytë në Mal të Zi i të dyshuarve për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë. Në fund të shtatorit, shtetasi serb M.V u arrestua në veri të Malit të Zi, nën dyshimin se kishte kryer krim lufte në territorin e komunës së Pejës në vitin 1999. Ai gjithashtu u caktua në paraburgim me ekstradim. Siç është shpjeguar më parë nga gjykata, paraburgimi i përkohshëm mund të zgjasë deri në 40 ditë. Nëse Kosova nuk aplikon për ekstradim brenda 18 ditëve nga dita e ndalimit, ata do të lirohen. /Klankosova.tv