LIVE| Osmani konfirmon: Drafti për Asociacionin po përgatitet nga institucionet e Kosovës NULL NULL 14.06.2023 10:43 14.06.2023 10:43 OSMANI NE PE 14:14 – Osmani konfirmon: Drafti për Asociacionin po përgatitet nga institucionet e Kosovës Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk është ndarë me institucionet e endit. Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë obligime në dialog që ato vetë ta përgatisin draftin. “Ai draft është duke u përgatitur, po bëhet punë dhe është ai draft i cili do ta vendosë bazamentin e diskutimeve në Bruksel për sa i përket Asociacionit. Gjithnjë duke pasur parasysh tri perimetra, Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe qëndrimin amerikan, i botuar me shkrim nga Chollet dhe Escobari”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv. Tutje, ajo tha se Kosova konsultohet me miq, dashamirë, ekspertë dhe në fund e propozon draftin e saj, ashtu siç i ka marrë obligimet në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe të përkrahur nga ShBA-ja. 14:05 – Osmani s’e komenton anulimin e mbledhjes së qeverive: Është detyrim kombëtar të punojmë bashkë Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka refuzuar ta komentojë anulimin e mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Osmani tha se kjo është çështje mes dy qeverive, teksa shtoi se Kosova e Shqipëria duhet të ulën bashkë. “Jam e bindur se Kosova e Shqipëria do të ulën bashkë, duhet të ulën bashkë. Jo vetëm që e kemi detyrim si dy vende që janë fqinjë, por si dy motra. Është detyrim kombëtar të punojmë me njëra-tjetrën edhe kur nuk kemi sfida, por sidomos kur kemi sfida”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv. Tutje, ajo foli edhe për arrestimin e kreut të Mbrojtjes Civile, Milun Milenkoviq, për të cilin tha se nuk duhet ta përziejmë një grup i cili udhëhiqet nga kriminelë e që janë edhe nën sanksione ndërkombëtare , me qytetarët të rëndomtë në veri. 13:52 – Osmani: Jemi afër për t’i tejkaluar sfidat – janë edhe disa detaje që duhet të diskutohen Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është në rrugë të duhur për t’i tejkaluar sfidat me të cilat po ballafaqohet së fundi. Ajo tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikë dhe Bashkimin Evropian dhe se Kosova është afër që rruga përpara të jetë një zgjidhje e përbashkët. “Janë disa detaje që duhet të diskutohen por kam besimin e plotë se kjo sfidë do të tejkalohet sepse rruga përpara duhet të jetë rrugë e përbashkët. Në të njëjtën kohë duhet ta kuptojmë që Kosova është e ndërtuar mbi vlerat që i ka edhe vetë BE-ja, e që ndër të tjera është sundimi i ligjit”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv. E para e shtetit, tutje tha se të arriturat e deritanishme të Kosovës, përfshirë lirinë dhe pavarësinë, janë të arritura të përbashkëta me aleatë dhe sipas saj, rruga përpara duhet të jetë e tillë, teksa shtoi se sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë. “Sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë, e rrjedhimisht unë përshëndes punën e Policisë së Kosovës që me profesionalizëm po sigurohen që të gjithë ata që kanë përdorur dhunë, sidomos së fundi ndaj KFOR-it, policisë e gazetarëve të përballen me drejtësi dhe vetëm drejtësi”, tha Osmani. 13:25 – Osmani: Nuk më janë përmendur sanksionet ndaj Kosovës Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, pas fjalimit të mbajtur në Parlamentin Evropian ka mbajtur një konferencë të shkurtër për media kosovare, ku ka folur rreth situatës së sigurisë në veri. Osmani tha se asaj nuk i janë përmendur se do të aplikohen sanksione ndaj Kosovës. “Parlamenti Evropian është institucion që e ka përkrahur Kosovën për dekada. Siç e dini ka qenë institucioni i parë që ia ka hapur dyert presidentit Rugova, kur zëri ynë nuk dëgjohej”, tha Osmani. E para e vendit theksoi se kërkesat e Kosovës janë të njëjtat me ato të aleatëve të saj. “Sa i përket kërkesave ndërkombëtare, vetëm ta përseris, jemi afër. Shumë prej çështje që janë kërksa tona siç është sundimi i ligjit, që është edhe janë edhe kërkesa të tyre. Pra, janë kërkesa të përbashkëta, është dakordim që duhet të ketë sundim të ligjit, dhe nuk duhet të këtë pandëshkueshmëri”, tha ajo, Presidentja Vjosa Osmani, tha se ka vullnet për t’i shpallur zgjedhjet në veri. “Siç e dini këto janë zgjedhje që organizohen nga KQZ-ja, pastaj presidentja i shpall zgjedhjet, janë dy mundësi ligjore, e para varet nga vullneti politik i kryetarëve aktual, mundësia e dorëheqjes është një çështje e tyre në të cilën unë nuk ndërhy. Mirëpo unë mendoj që shumë më demokratike dhe siguron vet pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje të reja, nënshkrimi i 20 për qind të atyre që janë në listë”, tha Osmani. 12:38 – Osmani, adresimin në PE e nisi me Rugovën dhe e përfundoi Demaçin Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, adresimin e saj në Parlamentin Evropian e nisi duke e cituar presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe e përfundoi me fituesin tjetër të çmimit Saharov nga Kosova, veprimtarin Adem Demaçin. Osmani deputetëve të Parlamentit Evropian iu tregoi se Demaçi i kaloi gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë të lirë e ku respektohen të drejtat e njeriut. “Duke folur me rastin e marrjes së çmimit në vitin 1991, ai tha: “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqedashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha””, tha Osmani, transmeton Klankosova.tv. Osmani më tej tha se nuk duhet harruar se nga ka ardhur dhe se duhet kujtuar gjithmonë se si Kosova arriti këtu, dhe ku i qëndroi pranë në kohë gëzimi e pikëllimi. “Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë. Zgjodha të flas për vlerat e BE-së, sepse janë këto vlera që shërbejnë si busullë morale e jona dhe na udhëheqin ne dhe njerëzit tanë drejt majave më të larta të arritjeve njerëzore”, tha Osmani, përcjell Klankosova.tv. 12:37 – Osmani: Durimi ynë nuk shuhet, s’largohemi nga rruga jonë euroatlantike, s’kemi drejtim tjetër Presidentja Vjosa Osmani ka thënë para deputetëve të Parlamentit Evropian se populli i Kosovës vazhdon të shohë kah e ardhmja evropiane. Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës e kanë shtrirë dorën e bashkëpunimit edhe me vendet fqinje. “Kosova nuk është vend i largët, është pjesë përbërëse e Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është lagje, është pjesë natyrore e Evropës. Në këtë drejtim ne vitin e kaluar kemi aplikuar për anëtarësim në BE. Shpresojmë që kjo do të përkrahet nga ju”, është shprehur Osmani, njofton KlanKosova.tv. “Ju siguroj secilin se durimi ynë nuk do të shuhet. Nuk do të largohemi nga rruga jona euroatlantike. Nuk kemi shikuar në ndonjë drejtim tjetër dhe nuk do ta bëjmë”. Ajo ka thënë se është koha për vendime të guximshme dhe jo masave gjysmake për integrim. “Na lejoni që ta kemi mundësinë që të begatojmë jetën e qytetarëve tanë”. 12:23 – Osmani në Parlamentin Evropian: Ka ardhur koha që të bëhen hapa në rrugën drejt BE-së Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian, ka theksuar se përkundër mungesës së drejtësisë dhe vuajtjeve të mëdha ndër vite, Republika e Kosovës dhe populli i saj vazhdojnë të shikojnë nga e ardhmja evropiane. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë adresimit të saj në Parlamentin Evropian, ka thënë se Kosova vazhdon të shikojë nga e ardhmja evropiane. E para e shtetit tha se Kosova ua ka shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë fqinjëve, pasi sipas saj, njerëzit meritojnë një të ardhme më të ndritur. “Institucionet e Kosovës duan paqe të qëndrueshme duke e pas drejtësinë në themel të saj, stabilitet duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial dhe me fokus në marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Osmani, njofton Klanksova.tv. Osmani më tej tha se përparimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të shërbejë si një katalizator për paqen dhe pajtimin në një rajon ku forcat keqdashëse, historikisht, mbjellin përçarje. “Mungesa e integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në BE përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi e lë rajonin të pambrojtur nga kërcënimet dhe aktorët keqdashës. Integrimi i rajonit tonë nuk është vetëm i një rëndësie të madhe, por është edhe i një rëndësie strategjike”, ka potencuar Presidentja Osmani. Sipas saj, Kosova është pjesë integrale e Evropës, ndaj ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e saj drejt BE-së. “Ne jemi këtu pranë jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje, sepse një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe është e mundur vetëm kur jemi të gjithë këtu, në këtë Parlament, si të barabartë, duke promovuar dhe mbrojtur Evropën kolektivisht”, është shprehur Presidentja Osmani. “Vendi i merituar i Kosovës në familjen e BE-së jo vetëm që do ta pasurojë kombin tonë, por gjithashtu do të forcojë vetë themelet mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian dhe do të forcojë kontinentin tonë përmes unitetit gjithnjë e më të madh”, u shpreh Osmani. 12:18 – Osmani përmend Vasfije Krasniqin, Fahrije Hotin, Blerta Bashollin, Egzon Sylen, Hana Qerimin e gazetaren ukrainase Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit në këtë adresim. Osmani gjatë prezantimit të delegacionit, spikati të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, nëpërmjet rrëfimeve jetësore të anëtarëve të delegacionit. “Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot. Ky është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – që përfaqëson historinë e trishtë dhe sfiduese të Kosovës, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të madhe”, tha Osmani. Osmani përmendi rastin e ish-deputetes Vasfije Krasniqi Goodman, për të cilën tha se ishte ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje. “Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha Osmani. Më tej, e para e vendit foli edhe për historinë e Fahrie Hotit, për të cilën tha se “ajo e ktheu pikëllimin në motivim, e dhimbjen në vendosmëri”, njofton Klankosova.tv. Më tej, në adresimin e saj, Presidentja Osmani shpalosi edhe fatin jetësor të znj.Fahrie Hoti. Veprimet e saj, sipas Osmani, jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin “Zgjoi”, të regjisores Blerta Basholli. Duke folur për një të ardhme më të mirë, Presidentja veçoi rrëfimin e suksesshëm të Hana Qerimit, bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, dy kompani, të cilat janë etabluar në tregun evropian me punën që bëhet në Kosovë. Në këtë kontekst, Osmani përmendi angazhimin e Egzon Sylës, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK, i cili ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi. “Sot, një 2-vjeçar si dhe të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”, tha Presidentja Osmani. Ajo më tej prezantoi edhe rrëfimin e Liudmyla Makei, gazetares së parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet kosovare në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën. “Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t’i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, tha Osmani. 12:10 – Osmani, serbëve: Kosova është shtëpia juaj – shfrytëzoni të drejtat që ua garanton Kushtetuta Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nga Parlamenti Evropian iu ka bërë thirrje të gjithë serbëve të Kosovës që t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre që ua garanton Kushtetuta e vendit. Ajo Kosova është e përkushtuar për drejtësi të palëkundur dhe mbetet e vendosur për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, teksa serbëve që jetojnë në Kosovë iu tha se kjo është shtëpia e tyre. “Kosova është shtëpia juaj dhe ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të siguruar që ju të ndjeheni të barabartë, të përfshirë e të dëgjuar”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv. Tutje, Osmani tha se Kosova mbetet e vendosur që drejtësia të vihet në vend për të gjithë dhe se individët të mbahen përgjegjës për të gjitha veprimet e tyre. 12:01 – Osmani citon Rugovën në PE me “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe kërkon mbështetje: Qëndroni pranë nesh në këtë moment kritik Presidentja Vjosa Osmani është duke mbajtur fjalimin historik në Parlamentin Evropian. Ajo këtë fjalim e ka nisur me trinomin e ish-presidentit Ibrahim Rugova: “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Përgjatë adresimit të saj, Presidentja Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE. “Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës. “Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”. Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës. “Jam këtu për ta shprehur mbështetjen ndaj jush dhe në këtë moment kritik për të ju bërë thirrje që të qëndroni palëkundur pranë nesh”. 11:56- Metsola: Jemi të vetëdijshëm për sfidat e pasojat e ngjarjeve në veri për stabilitetin e rajonit Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas pritjes që i bëri presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, tha se ata janë të vetëdijshëm për sfidat dhe pasojat që ngjarjet e fundit në veri mund t’i kenë në stabilitetin e rajonit. Ajo tha se janë po ashtu të vetëdijshëm për nevojën e vazhdueshme të BE-së që të theksojë dobitë e shtensionimit të situatës në veri të vendit. “Demokracia, liria e shprehjes dhe sundimi i ligjit janë vlera fundamentale që ky parlament qëndron fuqishëm me to. Rrugëtimi i Kosovës vazhdon dhe kjo shtëpi mirëpret përpjekjen e vendit tuaj për tu ballafaquar me sfidat drejtpërdrejt, nevojën për të ndërmarrë hapa për ta qetësuar situatën, për të bashkëpunuar me partnerë dhe duke investuar në projekte ndërkufitare dhe partneritet”, tha Metsola, njofton Klankosova.tv. Tutje, ajo tha se duhet që dialogu të vahzdojë në mënyrë konstruktive për të siguruar rezultate të prekshme për të gjithë. “Ky parlament do që të dëgjojë nga populli i Kosovës se si është më së miri të krijohet prosperiteti ekonomik, mundësitë dhe stabiliteti afatgjatë dhe progresi në rajonin tuaj”, tha Metsola, njofton Klankosova.tv. 11:10 – Osmani pritet nga Metsola në Parlamentin Evropian Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Osmani pritet ta ketë një takim bilateral me Metsolan përpara adresimit që do ta bëjë përpara deputetëve të Parlamentit Evropian. Ky adresim i Osmanit do të jetë i pari që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nga ora 11:00 do të takohet me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Nuk dihet se cila do të jetë tema e diskutimit mes Osmanit dhe Metsolas, por, nga ora 11:30, e para e shtetit do të mbajë një fjalim në Parlamentin Evropian. Osmani, gjatë adresimit do të flet për arriturat e Kosovës dhe të ardhmen evropiane të vendit. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS